Ernest Muçi është shndërruar në një nga pikat kyçe të ekipit të Besiktas, pavarësisht nisjes së keqe të sezonit, pasi tekniku Giovanni van Bronckhorst nuk ia besoi një fanellë titullari që në start.
Muçi ka gjetur golin në tre sfidat e fundit që ka luajtur me “Shqiponjat” e Stambollit, duke shënuar në derbin përballë Gallatasaraj, Kasimpasa dhe në Europa League, në fitoren 2-1 përballë Malmos.
Ylli kuqezi shënoi golin e avantazhit 1-0 për ekipin e tij dhe rrjeta e tundur, së bashku me performancën e lartë të treguar në fushë kanë bërë që Muçi të jetë pjesë e formacionit të javës në këtë kompeticion.
Pas ndeshjes me Malmon, Muçi foli për mediat turke duke thënë se është i lumtur për fitoren.
“Jam shumë i lumtur, kishim humbur dy ndeshjet tona të fundit. Tani bëmë një kthim të mirë te fitoret. Falënderoj tifozët, ne bëmë një reagim të mirë. Do të vazhdojmë në këtë rrugë. Golat që po shënoj? Ne punojmë për gjithçka. Unë jam i lumtur të ndihmoj ekipin tim, dua të vazhdoj kështu”, u shpreh 22-vjeçari.
Forma e Muçit nuk është një lajm i mirë vetëm për Beshiktashin, pasi sulmuesi pritet të japë kontributin e tij edhe me Kombëtaren në ndeshjet e nëntorit përballë Çekisë dhe Ukrainës. (A2 Televizion)