Shqipëria e varur nga Uzuni dhe Muçi? Silvinjo sqaron pse grumbulloi 28 lojtarë

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2024, 12:07 | Futboll

Shqipëria e varur nga Uzuni dhe Muçi? Silvinjo sqaron pse grumbulloi

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të rikthehet në fushë për të luajtur dy “finalet” e fundit në grupin B1 të Ligës së Kombeve përballë Çekisë dhe Ukrainës, më 16 dhe 19 nëntor, në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Tekniku Silvinjo në listën e publikuar sot ka përzgjedhur 28 futbollistë, të cilët do t’i shfrytëzojë për të arritur 6 pikët, të cilat mund ta nxjerrin Shqipërinë në krye të grupit.

Në një konferencë për mediat, Silvinjo shpjegoi para gazetarëve edhe arsyet e grumbullimit të kaq shumë lojtarëve, por foli edhe për rivalët.

"Kam 28 lojtarë, por kjo është e thjeshtë për t'u shpjeguar. Kemi pesë lojtarë që kanë karton të verdhë, dy ndeshje në shtëpi, nuk kemi asnjë transfertë, nuk kemi avionë, dhe kemi një qendër të shkëlqyer këtu. Kemi gjithçka që na duhet. Vendosëm që të merrnim maksimumin nga situata. Përveç atyre që kanë karton të verdhë, kemi edhe tre lojtarë që janë në dyshim për shkak të dëmtimeve. Kemi folur me doktorët dhe me klubet e tyre. Duhet të shohim se si janë Kumbulla, Manaj dhe Bare dhe nëse mund të luajnë ose jo".

Vendi në grup

"Natyrisht, si të gjithë, edhe ne mund të dalim të parët në grup, por ky është një grup i vështirë dhe mund të ndodhë gjithçka. Gjeorgjia mund të na mundë, mund të shkojmë atje dhe t’i mundim. Ky është një grup me katër skuadra që kanë luajtur në Europian dhe të gjithë kanë cilësi. Ka lojtarë që luajnë në ligat më të forta si Bundesliga dhe Premier League, prandaj janë të fortë. Avantazhi ynë është që luajmë dy ndeshje në shtëpi, një avantazh i vogël, por gjithsesi i rëndësishëm".

Situata e lojtarëve

"Manaj është prej dy javësh pa luajtur për shkak të një dëmtimi, po shpresoj që të rikthehet së shpejti. Bare gjithashtu ka marrë një goditje dhe është jashtë për 13 ditë. Ne do të përpiqemi të luajmë me lojtarët që janë në formë të mirë, si Muçi, i cili ka shënuar në tri ndeshje radhazi dhe Bajrami, që po bën mirë te Rangers. Ka dhe shumë lojtarë të tjerë që janë në formë, si Simoni, Fetai, etj. Një muaj më parë, Muçi nuk ishte në formën e tij më të mirë, por tani po luan shumë mirë".

Kundërshtarët dhe strategjia

"Një dhimbje koke për trajnerin është gjithmonë e mirë. Kjo do të thotë që kemi shumë mundësi, shumë lojtarë në formë dhe na jep shtysë për të ecur përpara. Ky është një moment i rëndësishëm për Kombëtaren dhe për vendin tonë. Të kesh një grup lojtarësh të tillë dhe të arrish në fund të kualifikueseve i gjallë është shumë i rëndësishëm. Ukraina është një skuadër e fortë, Gjeorgjia ka bërë një Europian të shkëlqyer dhe Çekia është një nga ekipet më të forta, e para në grupin tonë.  Kundërshtarët tanë, si Gjeorgjia, Çekia dhe Ukraina, janë skuadra të forta taktisht. Gjeorgjia është e fortë, ashtu si Çekia dhe Ukraina. Por edhe ne kemi një mbrojtje të fortë dhe nuk pësojmë shumë gola. Nuk është e lehtë të fitojmë, por lojtarët dhe stafi janë të përkushtuar. Na presin dy ndeshje të vështira dhe duhet të përmirësohemi për të arritur objektivat".

Rritja e lojtarëve të rinj

"Një nga gjërat më të bukura që po ndodhin me Kombëtaren është se po marrim lojtarë të rinj dhe të talentuar nga U-21, si Mario, Fetai, Simoni, dhe Pajaziti, edhe pse ai është i dëmtuar dhe do të mungojë për pesë javë. Tuci ka bërë një ndeshje të shkëlqyer. Ne jemi duke zhvilluar një ekip të ri dhe të fortë, ku lojtarët e rinj do të kenë mundësinë të bëhen titullarë në të ardhmen. Pjesë e këtij grupi janë edhe Hoxha, Bajrami, dhe Shpendi, që të gjithë kanë potencialin të rriten dhe të kontribuojnë shumë për ekipin. Ne kemi shumë lojtarë të rinj me potencial të madh si Fetai, Mitaj, Bajrami, Simoni, Asllani dhe shumë të tjerë. Ky është një proces dhe duhet të bëjmë kujdes për t'i ekuilibruar me lojtarët më të eksperiencuar. Ekipi është i ri dhe ka shumë mundësi për të ardhmen. Ne duhet të punojmë për të krijuar një grup që të jetë konkurrues edhe për shumë vite.”

Uzunit dhe Muçi

"Uzuni është një sulmues i dytë dhe Muçi është një lojtar ofensiv që luan kryesisht në krahun e majtë, por mund të luajë edhe në krahun e djathtë. Uzuni është më shumë një sulmues qendror. Do të shohim si mund t'i përdorim këta lojtarë në varësi të nevojave që kemi në ndeshje. Ata mund të bëhen dhe sulmues të plotë, nëse nuk kemi një lojtar të pastër në pozitat e sulmit". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos