“E padrejtë masakra që iu bë Asllanit”, gazetari italian mbron mesfushorin shqiptar

Nga A2 CNN
20 Janar 2025, 22:13 | Futboll

“E padrejtë masakra që iu bë Asllanit”, gazetari

Kristjan Asllani zhvilloi një ndeshje shumë të mirë ndaj Empolit të dielën, ku dha edhe një asist në fitoren 3-1 të Interit.

Në emisionin “Pressing” të “Canale 5”, gazetari i njohur sportiv italian Sandro Sabatini pas ndeshjes iu kundërvu të gjithë atyre që kishin kritikuar mesfushorin shqiptar gjatë kësaj periudhe, shkruan A2.

Ai theksoi se Asllani nuk ishte në lartësinë e Çalhanoglu, por kështu mund të thuhej edhe për shumë të tjerë, pasi turku ishte një futbollisti i veçantë.

“Mund të them se Asllani nuk është Çalhanoglu, por askush në Europë nuk është Çalhanoglu. Dhe nuk është faji i Asllanit, është faji i Çalhanoglut. Ndaj, edhe për faktin se mua më pëlqen të jem në anën e më të kritikuarve, a mund të them një fjalë për Asllanin? Pasi sinqerisht më është dukur e padrejtë dhe e pahijshme masakra që është bërë nga ana e vetë tifozëve të Interit ndaj Asllanit. Asllani, të paktën ndaj Empolit, ka bërë një ndeshje të madhe. Dhe të njëjtën gjë edhe në Venecia. Asllani është një lojtar i mirë. Ai nuk është Çalhanoglu. Por nuk është se duhej ndeshja me Bolonjën për të zbuluar se Asllani nuk është Çalhanoglu”, tha gazetari italian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos