Europa League/ Lazio mposht Real Sociedad dhe kualifikohet në 1/8, festojnë Eintracht e Athletic

Nga Erald Kodhelaj
24 Janar 2025, 17:23 | Futboll

Europa League/ Lazio mposht Real Sociedad dhe kualifikohet në 1/8,

Lazio u kualifikua direkt në 1/8 e Europa League, duke siguruar pozicionimin mes tetë të parave në grupin e përbashkët, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur.

Skuadra e Baronit fitoi 3-1 përballë Real Sociedad, duke u ngjitur në 19 pikë, kuotë të cilën asnjë skuadër nuk mund ta kalojë. Përballja u vendos prej pjesës së parë, me Gilan që zhbllokoi ndeshjen në të pestën. Kartoni i kuq i Munoz në të 30-ën i lejoi italianët ta kishin ndeshjen në dorë. Zaccagni dhe Castellanos në harkun e dy minutave hipotekuan suksesin, teksa goli i nderit për Real Sociedad me Barrenetxea vulosi shifrat në 3-1.

Një hap larg kualifikimit janë edhe Eintracht Frankfurt e Athletic Bilbao. Gjermanët mposhtën 2-0 Ferencvaros me golat e Uzun dhe Ekitiké në pjesën e dytë dhe ngjiten në kuotën e 16 pikëve, aq sa ka edhe Bilbao.

Manchester United fitoi 2-1 vetëm në fund përballë Rangers së Nedim Bajramit. Autogoli i Butland dhe rrjeta e Dessers në të 88-ën vendosën duelin në “Teatrin e Ëndrrave” në favor të “Djajve të Kuq”, që janë të pestët me 15 pikë.

Tottenham regjistroi fitore 3-2 në fushën e Hoffenheim, teksa zhgënjeu Roma që u thye minimalisht në trasfertën me AZ Aalkmar. Humbje 1-0 pësoi edhe Ajax në fushën e letonezëve të Rigas, teksa Porto u mposht 1-0 në shtëpi nga Olympiacos dhe rrezikon seriozisht eliminimin nga Europa League, pasi momentalisht është jashtë zonës “playoff”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos