Julian Nagelsmann do të mbetet në krye të stolit të Gjermanisë edhe pas Botërorit të vitit 2026. Në ceremoninë e 125 vjetorit të themelimit të Federatës Gjermane të Futbollit, trajneri firmosi rinovimin emarrëveshjes.
Sipas kontratës, ai do të qëndrojë në krye të përfaqësueses deri në vitin 2028, periudhë që përkon edhe me Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Britaninë e Madhe dhe Irlandë. Më parë, Komiteti Ekzekutiv i federatës kishte miratuar me unanimitet propozimin e presidentit të DFB, Bernd Neuendorf për të vijuar projektin me trajnerin.
Nagelsmann mori drejtimin e Gjermanisë në shtator të vitit2023 dhe në harkun e 16 muajve i bindi të gjithë me punën e bërë. Fillimisht marrëveshja parashikonte qëndrimin e tij në stol deri në Kupën e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, por ecuria dhe loja e “panzera”-ve bënë që trajneri të fitonte votëbesimin, shkruan A2 CNN.
Edhe vetë 37-vjeçari nuk e kishte parashikuar qëndrimin në përfaqësuese përtej Euro 2024 ku Gjermania ishte skuadra pritëse. Organizimi i suksesshëm i eventit dhe paraqitja fantastike, ku ekipi u eliminua mes polemikave nga Spanja kampione e Europës i bindën të gjithë se puna duhet të vazhdojë.
Sipas presidentit Neuendorf, rinovimi i kontratës me trajnerin Nagelsmann është një sinjal i fort se gjermanët nuk do të kënaqen me sukseset e së kaluarës, por do të punojnë për të ardhmen. (A2 Televizion)
Deri në Euro 2028, Gjermania rinovon kontratën me trajnerin Nagelsmann
