Dy skuadra të kualifikuara, 18 të parat që kanë siguruar vendin në fazën me eliminim direkt, por ende garë e hapur për të plotësuar kuadrin. Kur ka mbetur vetëm xhiro e fundit për t’u luajtur, grupi unik i Champions ka dhënë konfirmime, por ka dhuruar edhe befasi.
Liverpool kryesues dhe Barcelona e vendit të dytë e kanë siguruar kalimin direkt në 1/8. Thuajse 100% të sigurt janë edhe Arsenali dhe Interi, që ndajnë vendin e tretë me 16 pikë. Për momentin, me Milanin në vendin e gjashtë dhe Atalantën në të shtatin, Italia ka tre skuadra në pozita që kualifikohen direkt.
Por, nëse Interit do t’i mjaftonte një barazim ndaj Monaco për të mbyllur diskutimin, Milani duhet të fitojë në fushën e Dinamos së Zagrebit, ndërsa Atalanta e ka misionin më të vështirë, sepse luan trasfertën me Barcelonën.
Për të plotësuar katërshen ëndërron edhe Juventusi, të cilit mund të mos i mjaftojë as fitorja me Benfica. Bardhezinjtë kanë siguruar zonën “play-off”, aty ku sipas situatës aktuale rrezikojnë të kenë përballë Bayern ose Real.
Nëntë skuadra, nga vendi i 19-të deri në të 27-in janë në garë për gjashtë biletat e fundit në “play-off”. Ato janë PSV, Club Brugge, Benfica, PSG, Sporting, Stuttgart, Manchester City, Dinamo Zagreb dhe Shakhtar Donetsk.
Stuttgart dhe PSG do të kualifikoheshin edhe me barazim në ndeshjen direkte. Në rast se merr një pikë, Stuttgart rrezikon eliminimin vetëm nëse Dinamo Zagreb mposht Milanin me 7 gola diferencë. Në anën tjetër, Manchester City duhet me patjetër të mposhtë Club Brugge, sepse në rast se nuk fiton ekipi i Pep Guardiolës do të eliminohej. Skuadrat nga vendi i 28-të deri në të 36-in janë zyrtarisht të eliminuara.
(A2 Televizion)