Champions League/ PSG sfidon Manchester City, në fushë edhe Real, Bayern, Inter e Milan

Nga A2 CNN
22 Janar 2025, 19:03 | Futboll

Champions League/ PSG sfidon Manchester City, në fushë edhe Real,

Xhiro e shtatë e ndeshjeve në grupin e Champions League do të zbresë në fushë disa prej emrave më të mëdhenj të kontinentit. Vëmendja është përqendruar e gjitha në Francë, aty ku Paris Saint German sfidon Manchester City.

Një sfidë ku luhet për gjithçka. Dy ekipet ndahen nga vetëm një pikë në renditje. Problemi është se “Citizens” janë të 24-it, pozicioni ifundit që lejon kalimin në “playoff”, ndërsa parizienët janë në vendin e 26-të. Skuadra që humbet në këtë ndeshje, rrezikon të eliminohet nga eventi.

Real Madrid pret Salzburg në Bernabeu. Rikthimi i “Los Blancos” te ecuria pozitive lidhet me formën e mirë të Kylian Mbappe, që më në fund është përshtatur në Spanjë. Salzburg, ashtu si Girona, ka vetëm 3 pikë nga gjashtë ndeshje.

Bayern Munchen do të luajë në fushën e Feyenoord. Nëse arrijnë të fitojnë me rezultat bindës, gjermanët do të hipotekonin vendin mes tetë të parave.

I njëjtë është edhe objektivi i Arsenalit, që favorizohet edhe nga faktori fushë përballë Dinamo Zagreb. Më mbrapa nuk mbetet as Interi, që në fushën e Sparta Pragës kërkon t’i afrohet kualifikimit në 1/8. Zikaltërit kanë mbrojtjen më të mirë të grupit, ku kanë pësuar vetëm një gol në gjashtë ndeshje. Në Pragë spikat derbi shqiptar, ku Qazim Laçi do të jetë përballë Asllanit, teksa Tuci është i dëmtuar.

Milani kërkon të ngjitet në kuotën e 15 pikëve dhe të sigurojë vendin në playoff. Përballë kuqezinjve në San Siro luan Girona, skuadër e cila ka vetëm tri pikë dhe është praktikisht e eliminuar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos