Gati për historinë, publikohet formacioni i mundshëm me Moldavinë

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2023, 11:26 | Futboll

Gati për historinë, publikohet formacioni i mundshëm me

Ekipi fitues nuk ndryshon! Me grupin e kompletuar, Kombëtarja Shqiptare është gati për ndeshjen e rëndësishme përballë Moldavisë, këtë të premte.

Trajneri Sylvinho do t’i qëndrojë besnik formacionit të ndeshjes së fundit me Çekinë, por me vetëm një ndryshim të detyruar. Në vend të Arlind Ajetit të dëmtuar është rikthyer Ardian Ismajli dhe në krah të tij do të jetë Gjimshiti, në qendër të mbrojtjes, ndërsa nga krahët janë të përhershmit Hysaj dhe Mitaj.

Edhe mesfusha nuk ka ndryshime me Ylber Ramadanin dhe Kristjan Asllanin ndërsa para tyre qëndron Nedim Bajrami.

Në sulm ka pasur disa dyshime, kjo për shkak të konkurrencës së madhe që ky repart ka. Por ashtu si ndaj sfidës me çekët, nuk ka surpriza. Në krahun e majtë do të jetë Taulant Seferi, ndërsa në krahun e djathtë Jasir Asani, ndërkohë në majën e sulmit është Sokol Cikalleshi.

Trajneri Sylvinho nuk do të bëjë eksperimente. Kuqezinjtë janë vetëm një hap larg kualifikimit më tej. Me vetëm një pikë, Kombëtarja Shqiptare do të sigurojë një biletë për në Gjermani ndonëse siç e kanë theksuar disa herë, Shqipëria është në Moldavi me objektivin e vetëm fitoren. 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu