Zemra "lë në baltë" një tjetër futbollist, ndërron jetë portieri i kombëtares afrikane

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2023, 16:41 | Futboll

Zemra "lë në baltë" një tjetër futbollist,

Një tjetër rast Dwamena është regjistruar në futbollin botëror. Pas vdekjes tragjike në fushë gjatë sfidës Egnatia-Partizani të sulmuesit ganez, zemra e një tjetër ylli të futbollit afrikan ka pushuar së rrahuri.

Bëhet fjalë për “gjigandin e butë”, ish-portierin e kombëtares së Zimbabve, George Chigova, i cili ka ndërruar jetë në moshën 32-vjeçare.

Gjigandi i portës është gjetur i pajetë në shtëpinë e tij në Afrikën e Jugut, dhe dyshohet se vdiq pas një sulmi në zemër.

Chigova jo më larg se korriku i këtij viti kishte pësuar një atak në zemër dhe për pak kohë u përpoq të rikthehej në futboll.

I njohur me nofkën "Zikeeper" ai mbrojti 32 herë portën e kombëtares së Zimbabve gjatë karrierës së tij, duke u paraqitur disa herë në Kupën e Kombeve të Afrikës. Chigova gjithashtu fitoi Kupën COSAFA me Zimbabvenë në 2017 dhe 2018.

Chigova kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në nivel klubesh në Premier Divizionin e Afrikës së Jugut me SuperSport United dhe Polokwane City.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni