“Ndaj Moldavisë, një finale”, Sylvinho i kujdesshëm: Nuk ka mbaruar asgjë

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2023, 18:03 | Futboll

“Ndaj Moldavisë, një finale”, Sylvinho i kujdesshëm:

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Moldavinë, që mund të kualifikojë Shqipërinë matematikisht në “Euro 2026”, deklaroi se nesër Shqipëria do ta konsiderojë si një finale sfidën ndaj moldavëve.

“Jemi të ndërgjegjshëm që kemi një finale nesër, një ndeshje shumë vendimtare dhe të rëndësishme. Edhe lojtarët e reflektojnë seriozitetin dhe kjo është diçka pozitive. Janë të ndërgjegjshëm për faktin që s’ka mbaruar asgjë akoma sa i përket kualifikimit. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë në shtëpi ndaj Çekisë dhe jemi përgatitur për finalen që kemi nesër. Nuk besoj se ka ndryshim sa i përket forcës që kemi treguar në këto ndeshje. Luajmë ndaj Moldavisë, një kundërshtar shumë i fortë, ekip i mirëorganizuar, kanë lojtarë që në aspektin individual janë shumë cilësorë, një skuadër shumë fizike dhe sidomos në fushën e vet janë shumë të vështirë”, tha Sylvinho.

Sipas trajnerit brazilian të Kombëtares sonë, ende asgjë nuk ka përfunduar në lidhje me kualifikimin, pavarësisht se e pranon që kuqezinjtë nisen të avantazhuar për shkak se renditen në vendin e parë të grupit.

“Avantazhi që kemi ne është që jemi në këtë pikë të garës dhe jemi në lojë për t’u kualifikuar. Por, që kur ka nisur fushata kualifikuese jam shprehur që kemi një grup shumë të vështirë përpara. Dhe objektivi ishte që të vinim në nëntor në këto kushte dhe realisht ne jemi në një moment të mirë. Jemi në një grup ku katër skuadra janë në lojë për t’u kualifikuar. Avantazhi ynë është fakti që ne jemi më mirë se kundershtarët në renditje, por duhet të kemi parasysh që s’ka mbaruar ende asgjë dhe kemi pikë të tjera për të fituar që na duhen”, deklaroi Sylvinho. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos