Nis Botërori, 104 ndeshje në total, 48 ekipe në “luftë” për trofeun

Nga Dea Kozma
11 Qershor 2026, 13:30 | Futboll

Nis Botërori, 104 ndeshje në total, 48 ekipe në

Për herë të parë në histori, Botërori do të luhet me 48 skuadra. Ndeshjet do të zhvillohen në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Shtetet e Bashkuara do të kenë 11 stadiume pritëse, Meksika 3 dhe Kanadaja 2. Sipas rregullit, vendet pritëse, janë të kualifikuara automatikisht. Duhet të theksojmë se ky nuk është Botërori i parë që ndahet në disa vende pritëse, pasi nëse kthehemi vite pas, në 2002, Kupa e Botës u organizua në Korenë e Jugut dhe Japoni, shkruan A2 CNN.

Do të jetë hera e parë për Kanadanë, e dyta për SHBA dhe e treta për Meksikën. Në total janë 104 ndeshje, me finalen që do të luhet në Nju Jork, në stadiumin e Nju Xhersit.

Turneu nis më 11 qershor dhe mbyllet më 19 korrik me finalen e madhe. Duke qenë se këtë vit ka 48 ekipe, formati me tetë grupe, është zëvendësuar me nga 12 grupe me katër skuadra. Dy skuadrat e para në secilin grup, plus tetë skuadrat më të mira të vendit të tretë, do të kalojnë në raundin e 32-të. Formati i ri do të thotë se kombëtarja që triumfon në finalen e 19 korrikut do të luajë tetë ndeshje për t’u kurorëzuar kampione, një më shumë se në botërorin e Katarit 2022.

Kampione në fuqi është Argjentina, falë asaj fitores emocionuese ndaj Francës, në finalen e Katarit 2022.  Përveç vendeve organizuese, 45 vendet e tjera janë të ndara në kontinente të ndryshme, Europa që ka 16 kombëtare, Afrika me 9 kombëtare, Azia 8 dhe Amerika e Veriut dhe Latinë nga 6 kombëtare, si edhe një nga Oqeania. Ky botëror nis me shumë surpriza pasi Italia për të tretin edicion radhazi nuk do të jetë pjesë e Botërorit.

Edhe pse fillimisht u propozua që Italia të zëvendësojë Iranin në Kupën e Botës, diçka e tillë nuk u pranua kurrsesi nga të kaltrit me autoritetet italiane që e kanë cilësuar idenë si të papranueshme dhe kundër frymës së sportit. Pavarësisht tentativave, një gjë është e sigurt tani, Italia për të tretin edicion radhazi, do të qëndrojë jashtë Kupës së Botës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos