Pas vendimit për ta shtyrë në fundjavë paradën me autobus të hapur, për shkak të kushteve atmosferike, Interi i kërkoi Ligës italiane të futbollit të ndryshonte edhe ditën dhe orën e ndeshjes me Torinon.
Sfida e parashikuar të luhej të shtunën në 15:00, tashmë do të zhvillohet të dielën në orën 12:30. Në përfundim të lojës, skuadra do të zhvillojë paradën me autobus në rrugët e Milanos, për të festuar së bashku me tifozët fitimin e titullit të 20-të kampion në Serie A.
Edhe pse detajet e festimeve dhe itinerari mbeten ende për t’u përcaktuar, e sigurt është që ekipi do të niset nga stadiumi për të mbërritur në Duomo.
Festimet e yllit të dytë të vendosur në fanellë do të mbyllen në ndeshjen e fundit të Interit në shtëpi kundër Lacios, më 19 maj, aty ku do të dorëzohet edhe trofeu i kampionëve të Italisë. (A2 Televizion)