Real Madrid fitoi 2-0 në transfertë ndaj Getafes, duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në kampionat dhe duke rimarrë i vetëm kryesimin e renditjes.
Dy golat e Joselu, nga një në çdo pjesë, bëjnë që ekipi i drejtuar nga Carlo Ancelotti të shkojë i qetë drejt dy “finaleve” të kampionatit, të cilat do t’i luajë njëra pas tjetrës: ndaj Atletico Madrid (të dielën) dhe ndaj Girona (të shtunën, 10 shkurt).
Reali ka humbur vetëm një ndeshje në kampionat deri tani, pikërisht kundër Atletico Madrid (24 shtator 2023), ndërsa dy hapat e tjerë fals janë barazimet ndaj Sevilla dhe Betis. Që do të thotë se janë 129 ditë radhazi pa humbje në La Liga.
Ritmin e madrilenëve e ka mbajtur vetëm surpriza Girona, që ka grumbulluar vetëm dy pikë më pak, ndërsa Atletico Madrid dhe Barcelona ndjekin me 10 pikë më pak sesa Real Madrid. (A2 Televizion)