Sfida me Moldavinë, Ajeti i dëmtuar, Jon Mersinaj rikthehet në Kombëtare

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2023, 12:55 | Futboll

Sfida me Moldavinë, Ajeti i dëmtuar, Jon Mersinaj rikthehet në

Lista e Kombëtares për ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe ndryshon edhe pse skuadra nuk ka zbritur ende në fushë për stërvitjen e parë. Mbrojtësi Arlind Ajeti humbet dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Euro 2024, për shkak të një dëmtimi të pësuar në Rumani.

Mbrojtësi pësoi lëndim në muskujt e pasmë të këmbës së majtë, në ndeshjen e fundit të luajtur me Cluj. Pavarësisht dëmtimit, ai u paraqit në grumbullim, ku i’u nënshtrua kontrolleve të specializuara me stafin mjekësor kuqezi.

Rezonanca magnetike konfirmoi problemin në kofshë dhe mjekët dolën në përfundimin që Ajeti ka nevojë për disa ditë pushim absolut për t’u rikuperuar. Kjo bëri që trajneri Sylvinho dhe stafi i tij ta linin të lirë futbollistin të largohej, duke e zëvendësuar me Jon Mersinaj.

24-vjeçari është pjesë e Lokomotivës së Zagrebit dhe ai rikthehet në Kombëtare pas mungesës së gjatë. Mbrojtësi ka debutuar me ngjyrat kuqezi në miqësoren e qershorit 2022 ndaj Estonisë.

Në njoftimin e FSHF theksohej se “lojtarët e tjerë nuk kanë probleme fizike dhe i gjithë grupi pritet të plotësohet gjatë mbrëmjes së të hënës”. Kjo nënkupton që ka optimizëm për Kristjan Asllanin, edhe pas lajmeve nga mediat italiane se bëhet fjalë vetëm për një lodhje muskulore dhe nuk ka asnjë problem serioz.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi