Presidenti i Vllaznisë zbulon si nisi sherri në ndeshjen me Tiranën: Më qëlluan dhe mua!

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2023, 20:56 | Futboll

Presidentit i ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë, Lazer Matia ishte i ftuar në “Ditari” i A2CNN ku zbuloi të gjithë kronologjinë e sherrit masiv që shpërtheu në sfidën me Tiranën, që u luajt në kompleksin “Skënder Halili”.

Sipas tij përplasja fizike mes lojtareve të të dy ekipeve nisi pas një faulli ndaj kapitenes së Vllaznisë, Megi Doçi.

Matia thotë se pankina e Tiranës dhe tifozët kanë shpërthyer në fyerje banale ndaj Doçit dhe ai ka shkuar për të tërhequr futbollisten e tij nga sherri, por është goditur nga pas nga persona të paidentifikuar.

Në minutën e ’20, ’22, ekzakt nuk mund ta them se aty s’ka as tabelë elektronike. Një faull para pankinës së Tiranës ndaj lojtares tonë. Faull i rëndë, i nivelit të ndëshkimit. Megi Doçi bie në tokë dhe arbitrja jep faull por nuk e ndëshkon lojtaren e Tiranës me karton. Në këtë moment pankina e Tiranës duke qenë afër protestojnë për Megin që të ngrihej në këmbë jo për faullin, s’kemi parë gjë tjetër se janë vërsulur lojtaret e Tiranës dhe ekipit tonë për të incidenti. Vajzat e Tiranës goditën Megin. Qëllimi im i vetëm ishte të shkoj ta largoj Megin nga situata se në mënyrë të vazhdueshme duke ditur cilësinë e saj e ngacmojnë këtë lojtare. Kam vërshuar me vrap të shpejtë drejt sherrit. Kur kam arritur aty 30 metër nga bankina kam dëgjuar fjalë nga më banalet nga stafi dhe persona të tjerë, civilë jashtë bankinës, meshkujt kryesisht në drejtim të Megit.

Të vetmin person që kam njohur afër pankinës ishte djali i Presidentit. E vetmja fjalë që i jam drejtu është: A të vjen turp more, se ke dhe motër? Nuk ka shkuar fjala në fund dhe më ka godit një person nga mbrapa. Pastaj aty është bërë një rrëmujë totale se ishte i gjithë stafi i Tiranës, dhe u afrua dhe stafi jonë. Është bërë një rrëmujë e paparë. Ka zgjat disa minuta, nuk kishte asnjë punonjës sigurie për të ndërhyrë. Pasi ka ndodh kjo maskaradë ekipi i Tiranës në vend që të kërkonte falje publike për futbollin e femrave, për faktin që nuk mori masa për këtë ndeshje del me një deklaratë të turpshme, ku nuk merret me çfarë ndodhi në fushën e lojë, por me ditën e dhunës ndaj gruas.

Matia hodhi dyshime se dështimi në organizimin e ndeshjes dhe mungesa e masave të sigurisë në këtë sfidë mund të ketë qenë e qëllimtë nga ana e klubit të Tiranës.

Kjo pasi dy javë më parë klubi bardheblu zgjodhi të luajë në “Selman Stërmasi” sfidën me Apoloninë, ndërsa në një derbi me Vllazninë nuk i kushtoi aspak rëndësi ambientit apo sigurisë së sfidës.

Duhet të kishte qenë policia e rendit në ruajtjen e sigurisë në stadium, duhet të kishte kamera. Po të ishin të gjitha masat e marra normalisht nuk do të ishte kjo situatë. Ky është gabimi i parë dhe nga kjo buron çdo gjë, sepse një derbi mes Tiranës dhe Shkodrës, pavarësisht se është futbolli i femrave, në çfarëdo niveli të tjetë nuk mund të neglizhohet dhe të dërgohet në një fushë të tillë.

Uroj që të mos jetë me dashje dërgimi i kësaj ndeshje në atë terren, pasi para dy javësh, Tirana luajti me Fierin në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërsa me ekipin me kampion të disa viteve në Shqipëri dhe që ka shumicën e vajzave në kombëtare duhet të kishte respekt dhe vlerësim më të madh nga ana e organizatorëve. Dështimi i kësaj ndeshje dhe gjithë situata ka ardhur nga organizimi i papërgjegjshëm dhe uroj mos të jetë me dashje nga ekipi i Tiranës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos