Një incident i shëmtuar dhune është regjistruar sërish në futbollin shqiptar këtë të shtunë, por ketë herë protagonistë nuk kanë qenë meshkujt, por femrat.
Dhuna, sharjet dhe pamjet aspak të këndshme, ndërprenë ndeshjen mes Tiranës së femrave dhe Vllaznisë, e cila po luhej në kompleksin “Skënder Halili”.
Takimi Tirana–Vllaznia është ndërprerë në minutën e 22 të pjesës së parë pas një sherri që ka ndodhur mes futbollisteve dhe stafeve të të dyja skuadrave.
Për këtë episod ka reaguar klubi i Tiranës, duke hedhur akuza ndaj stafit dhe futbollisteve të Vllaznisë.
Reagimi i Tiranës:
“Ditën e sotme ishte planifikuar të luhej ndeshja e femrave Tirana – Vllaznia, në kompleksin “Skënder Halili”. Në këtë takim, klubi shkodran nuk ka lejuar që ndeshja të luhet, duke dhënë shembullin më të keq, në një vend ku futbolli i femrave po zhvillohet dhe për më tepër që dy skuadrat ishin duke zhvilluar kampionat me pikë të plota dhe duke ndarë vendin e parë.
Në minutën e 22-të ndeshja është ndërprerë, pasi skuadra kundërshtare ka reaguar ndaj pankinës sonë, fillimisht duke sharë e duke fyer, e më pas duke kaluar edhe në dhunë fizike.
Situata ka eskaluar, ku drejtuesit e Vllaznisë janë larguar nga pankina e tyre dhe kanë ardhur në pankinën e skuadrës së Tiranës dhe kanë nisur të shfaqin akte të tmerrshme dhune e të godasin stafin teknik, drejtuesit e klubit të Tiranës si edhe futbollistet.
Klubi i Vllaznisë Femra ka dhunuar barbarisht drejtoreshën e klubit të Tiranës, Edonisa Aliaj, portieren Delvina Dyrmishi dhe futbollisten Flondra Behrami.
Dhuna ndaj grave edhe vajzave është një shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut dhe një problem global i shëndetit publik me përmasa epidemike.
Ne si klub, presim zbardhjen e kësaj çështjeje nga organet kompetente dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë deri sa ngjarja të zbardhet plotësisht e aktorët që po shkatërrojnë futbollin “Fair Play”, të marrin dënimin e merituar.
Asnjë justifikim për dhunën ndaj vajzave dhe grave! Asnjë justifikim për dhunën në sport! (A2 Televizion)