Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë në Ditarin e fundjavës në A2 CNN nga Erion Dushi, rrëfeu emocionet e një edicioni të shkëlqyer të kombëtares shqiptare, e cila u rendit e para në grupin kualifikues dhe automatikisht arriti të marrë për herë të dytë në histori një biletë për Kampionatin Europian.
Duka u pyet edhe për kontratën e Sylvinho-s, shortin që pritet të hidhet më 2 dhjetor, kundërshtarët që do të preferonte, por edhe një krahasim me ekipin e vitit 2016, që e çoi për herë të parë Kombëtaren në Kampionatin Europian.
Emocionet e kualifikimit në Europian
“Jemi në një moment shumë të bukur, në përfundim të këtij edicioni, për atë që ka arritur ekipi me klasifikim dhe për atë që ka dhuruar ekipi në stadium, por edhe për çdo gjë që ka ndodhur rreth ekipit në vitin 2023. Në përgjithësi ky vit ka qenë i suksesshëm për futbollin shqiptar. Jam i lumtur për të gjitha zhvillimet.
Ne nuk kemi pasur ndonjë politikë promovuese për trajnerin gjatë këtij edicioni, por puna e tij, ajo që ka transmetuar ai me të gjithë, e ka bërë një figurë të vlerësuar nga të gjithë. Është nga të vetmit trajnerë që pothuajse nuk ka kritikë dhe kjo nuk ndodh në futboll. Për këtë më vjen mirë pasi është drejtuesi i Kombëtares sonë. Sylvinho e ka merituar atë me punën dhe sjelljen e tij”.
E ardhmja e trajnerit Sylvinho
“Sa i përket të ardhmes, unë uroj që ai të bëjë mirë. Gjërat jo gjithmonë varen vetëm nga trajneri. Ai ka një pjesë të suksesit apo dështimit, atë që pjesë që ka ta bëjë shumë mirë. Aktualisht, të përgatisim shumë mirë turneun e Gjermanisë dhe pse jo të bëjmë edhe rezultate pozitive atje. Më pas besoj se do të jetë i kënaqur për të vazhduar projektin. Për momentin, ne ndjehemi mirë dhe nuk ka risk. Nga ana tjetër, edhe Sylvinho është i lumtur në Shqipëri, ndjehet shumë mirë me bashkëpunëtorët, me Federatën, me publikun, mediat e publikun”.
“Shqipëria do të jetë kombëtarja me më shumë tifozë në Gjermani”
“Ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm ku shkojmë dhe çfarë na pret. Niveli rritet ndjeshëm. Skuadrat vijnë me synime të qarta. Kështu që, duke pasur parasysh se çfarë ka në përbërje ky Europian, unë nuk shoh ndonjë skuadër që unë të them po të kemi këtë apo atë skuadër, ne bëjmë 3 pikët. Të gjitha skuadrat janë për t’u respektuar, por edhe ne jemi një skuadër e mirë, edhe ne jemi skuadër me kualitete, me një skuadër të organizuar, me çuna shumë të mirë që japin gjithçka në fushë. Me tifozë që na mbështesin. Unë kam shumë besim që do të jemi skuadra më e mbështetur në Gjermani nga sportdashësit. Duke pasur parasysh të gjitha këto, unë mendoj se do të bëjmë mirë atje. Frikë? Ne do të shkojmë me lujt futboll, jo me bo luftë. Frikë nuk kemi pse të kemi asnjë. Padyshim që kemi vlerësim maksimal për të gjithë. Ajo që do të dëshiroja më shumë do të ishte Gjermania sepse është ndeshja hapëse dhe do të ishte një promocion shumë i mirë për futbollin shqiptar. Në vazon e parë, nuk besoj se ka skuadra më të dobëta se Gjermania dhe pse të mos marrim këtë që është në nivel me të tjerat, por që të ofron dhe një benefit që është ndeshja hapëse”.
Armand Duka e thotë hapur: Kemi një skuadër më kualitative se në vitin 2016
“Çdo futbollist besoj se ka objektivat maksimal të karrierës së tij ose të marrë pjesë në një nga turnetë finalë Europian apo botëror apo në grupet e Champions League. Qoftë në planin individual apo ekipor, i bën ata që të jenë akoma më të lumtur, aq më shumë se në Shqipëri futbolli është fe dhe kjo i bën ata akoma të ndjehen më shumë krenar. Ky është në një lloj mënyre ndryshimi i nivelit profesional apo të lartë të skuadrave që të dish të balancosh euforinë. Unë besoj se skuadra do të dijë të luajë mirë ndeshjet në Euro 2024, po ashtu siç bëmë në vitin 2016. Eksperienca të bën të korrigjosh ato që bën keq. Në fakt, sipas meje, kemi një skuadër më kualitative se në vitin 2016, që luajnë në nivele të mira, por janë edhe të lidhur me njëri-tjetrin, të lidhur me fanellën dhe kanë krijuar një grup. Ne, as në Europianin e vitit 2016 dhe as sot, nuk kemi futbollistë të jashtëzakonshëm, por kemi një skuadër të jashtëzakonshme”.
Nga jo i grumbulluar, në kapiten, Duka flet për "borxhin" ndaj Berat Gjimshitit
“E kemi thënë disa herë, madje edhe në një intervistë ku kam qenë së bashku me Beratin para kamerave, që ne vërtet i kemi borxh Gjimshtitit që nuk u zgjodh nga De Biassi për t’u marrë në EURO 2016 dhe përgjigja e tij ka qenë fantastike: Askush nuk më ka borxh mua, vetëm unë i kam borxh Shqipërisë.
Grafiku i tij sportivisht unë mendoj se është një grafik në rritje, është rritur jashtëzakonisht shumë. Ndërsa grafiku i tij si personazh ka qenë konstant, ai është një djalë i shkëlqyer, i edukuar dhe një djalë shumë i mirë. Dhe kjo e bën që të jetë një kapiten natyral, i përshtatshëm, shumë i mirë.
Kemi edhe futbollistë të tjerë shumë të mirë që ekipi drejtues i kombëtares i ka zgjedhur si kapitenë, si Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Sokol Cikalleshi dhe Berati, që aktualisht e mban shiritin, por secili nga këto që do të jetë në fushë, do të ketë shiritin e kapitenit”.
A ka shanse Shqipëria të kualifikohet në Botëror? Përgjigjet Armand Duka
“Ne përfunduam edicionin të parët në grup. Nëse këto do të ishin kualifikuese për Botërorin atëherë do të kishim bërë historinë sepse në të njëjtin format do të luhet në kualifikueset e Botërorit. Kemi një skuadër të mirë, me kualitete. Mund të bëjmë mirë siç kemi bërë në këtë edicion. Kemi mundur skuadra të forta, mund të mundim skuadra të forta, por mund të na ndodhë edhe siç shkoi me Ishujt Faroe. I kemi mundësitë për të konkurruar edhe për Kampionatin Botëror”.
Lojtarët nga Serie A, garanci për suksesin e Kombëtares?
“Derisa janë në atë kampionat tregon se kanë kualitet. Ne kemi 7 sot, por shumë të tjerë janë në nivele pak më të ulëta. Ne kemi një skuadër të mirë, por edhe një të ardhme të sigurt”.
Kë preferon mes De Biassit dhe Sylvinhos? Përgjigjet Armand Duka, tregon edhe diferencat mes tyre
"Unë e kam vlerësuar kontributin e de Biassit për kualifikimin tonë në EURO 2016, por në këndvështrimin tim, njerëzit nuk janë shumë të krahasueshëm, kanë karakteristikat e veta, por mjafton që balanca të jetë pozitive. Dhe si e tillë, të dy personat në fjalë, janë me balanca pozitive dhe se kush më shumë e kush më pak, është e vështirë ta ndash, pasi çdokush e shesh në këndvështrimin vet.
Trajneri aktual që kemi është shumë i mirë. Në momentin që kemi vendosur që Sylvinho të jetë trajneri i Shqipërisë, mbase nuk do të ishte zgjedhja e duhur, pasi mund ta kenë parë si një trajner pa eksperiencë, aq më tepër brazilian, që nuk është se shquhen, për më tepër në Evropë, si trajnerë shumë të mirë, por dëshira, përkushtimi dhe eksperienca që ka marrë në futbollin e luajtur, i ka gërshetuar dhe rezulton shumë i mirë".
Me këtë Sylvinho që e zbuluam, a e bën atë më të dashur për sportdashësit shqiptarë?
Futbolli është riskioz. Tifozët e futbollit ndryshojnë brenda minutave të një ndeshjeje. Kur rezultati është pozitiv, sigurisht që vlerësimet janë të mëdha. Nga ana tjetër, kur rezultatet janë negative, fillojmë dhe gjejmë të metat, të cilat edhe ato kanë ekzistuar e që shfaqen akoma dhe më shumë kur nuk ka rezultate.
Për momentin ne jemi në “qiellin e shtatë” me rezultate pozitive dhe nuk shohim asnjë anë negative të kurrkujt për momentin. Por, në total, Sylvinho, stafi i tij, kanë bërë një punë fantastike. (A2 Televizion)