Sylvinho, një brazilian me pasaportizim në Lushnjë

Nga Erald Kodhelaj
24 Nëntor 2023, 11:32 | Futboll

Sylvinho, një brazilian me pasaportizim në Lushnjë

Një skuadër e plotë e Kombëtares shqiptare e stacionuar në Lushnjë. Trajneri dhe 12 lojtarë nga përfaqësueset e moshave e deri në skuadrën “A”, që janë banorë të qytetit të Myzeqesë.

Rasti më i fundit është ai i trajnerit Sylvinho. I lindur në São Paulo, qytetin më të madh të Brazilit për nga popullsia dhe metropolin e katërt më të madh në botë, por tashmë me pasaportizim në Lushnjë.

Në ditën e parë të samitit të diasporës, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, njoftoi dhënien e pasaportës për teknikun kuqezi, që nga ana e tij ndihet “100% shqiptar”.

Përpos Sylvinhos, si banorë të Lushnjës janë regjistruar edhe Mirlind Daku dhe Arbnor Muja. Vetëm pak muaj më parë, ata u pajisën me pasaportë shqiptare, ku u regjistruan në qytetin ku ministri Balla është deputet.

I gjendur gjithmonë shumë pranë Kombëtares në muajt e fundit, Ministri i Brendshëm ka ndihmuar në shmangien e burokracive për futbollistët gjatë procesit të pajisjes me pasaportë, duke i ndihmuar që ata të vihen menjëherë në dispozicion të Kombëtares.

Mes futbollistëve të spikatur që janë regjistruar në Lushnjë për efekt dokumentacioni janë edhe kapiteni i Shpresave, Medon Berisha, por edhe Rashica, që më parë ishte aktivizuar me moshat e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos