I ftuar në “Ditari i Fundjavës” nga Erjon Dushi në A2 CNN, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, u ndal të flasë edhe për kapitenin aktual të kuqezinjve, Berat Gjimshiti, duke u fokusuar te mosgrumbullimi i tij nga trajneri i atëhershëm, Gianni de Biassi për në EURO 2016 në Francë.
Duka u shpreh se, Gjimshitit të gjithë i kanë një borxh për atë mos grumbullim tijin në Francë, ndërsa shtoi se, grafiku i tij si sportist është në rritje të konsiderueshme. Por, nuk la pa përmendur edhe kapitenët e tjerë të ekipit, si Hysajn, Cikalleshin apo Berishën, të cilët i vlerësoi për potencialin e tyre.
Le të ndalemi pak te Berat Gjimshiti, i cili në 2016-n nuk u grumbullua nga de Biassi, ndërsa këtë herë shkon në Europian me shiritin e kapitenit në krah. A po i shpërblejmë në një farë mënyre atë krenarinë që i thyem, apo u bë akoma edhe më i mirë nga ajo “jo” e 2016-s?
E kemi thënë disa herë, madje edhe në një intervistë ku kam qenë së bashku me Beratin para kamerave, që ne vërtet i kemi borxh Gjimshtitit që nuk u zgjodh nga De Biassi për t’u marrë në EURO 2016 dhe përgjigja e tij ka qenë fantastike: Askush nuk më ka borxh mua, vetëm unë i kam borxh Shqipërisë.
Grafiku i tij sportivisht unë mendoj se është një grafik në rritje, është rritur jashtëzakonisht shumë. Ndërsa grafiku i tij si personazh ka qenë konstant, ai është një djalë i shkëlqyer, i edukuar dhe një djalë shumë i mirë. Dhe kjo e bën që të jetë një kapiten natyral, i përshtatshëm, shumë i mirë.
Kemi edhe futbollistë të tjerë shumë të mirë që ekipi drejtues i kombëtares i ka zgjedhur si kapitenë, si Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Sokol Cikalleshi dhe Berati, që aktualisht e mban shiritin, por secili nga këto që do të jetë në fushë, do të ketë shiritin e kapitenit. (A2 Televizion)