Sylvinho: Miqësoret, shumë të rëndësishme për listën e Europianit

Nga Dea Kozma
16 Mars 2024, 14:23 | Futboll

Katër muaj pasi festoi kualifikimin e dytë historik në finalet e Kampionatit Europian, Kombëtarja do të nisë zyrtarisht përgatitjet për aktivitetin më të rëndësishëm kontinental. Shqipëria do të zhvillojë dy ndeshjet e para miqësore, ku fillimisht do të përballet me Kilin më 22 mars në Parma të Italisë.

Tri ditë më pas, kuqezinjtë do të luajnë në Stokholm duelin me Suedinë. Këto dy teste do t’i shërbejnë trajnerit që të përzgjedhë futbollistët që do të ketë në dispozicion në Euro 2024. “Do të jetë e rëndësishme, nuk di të them nëse vendimtare, por shumë e rëndësishme”, tha braziliani në një konferencë për mediat të shtunën.

Ai komentoi edhe zgjedhjet teknike, lënien jashtë të disa lojtarëve dhe grumbullimin e Manajt dhe Brojës, dy sulmues që po bëjnë rrugëtime krejt të kundërta në këto javët e fundit.

“Daku, Muja, Gjausla, kanë bërë një rrugëtim të rëndësishëm te ne, kanë bërë mirë, janë lojtarë që i kam në konsideratë, padyshim. Nuk janë këtu jo për zgjedhje teknike, kam nevojë që të shoh lojtarë. Ajo dhimbje koke për zgjedhjen është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një trajneri. Janë pjesë e planeve, por sot nuk mund të marr 30-35 lojtarë, por duhet të shohim lojtarë si Manaj që vjen për herë të parë e Broja për të dytën, por u largua për dëmtim herën e parë. Apo Hoxha të cilin ne e ndjekim prej tre muajsh”, tha Sylvinho. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos