Me fitoren 2 me 1 në derbin kundër Milanit, Interi u shpall kampion i Italisë. Suksesi përballë rivalëve të përjetshëm i nevojitej zikaltërve të mbyllnin matematikisht çdo diskutim, edhe pse titulli dukej i pashmangshëm pas dominimit në këtë sezon.
Distanca me 17 pikë nga kuqezinjtë e vendit të dytë i dha fund garës në Serie A. Me golat e Açerbit dhe Turam, Interi festoi titullin numër 20 në histori dhe tashmë do të vendosë yllin e dytë në fanella.
Paraqitja e dobët e Milanit dhe reagimi i vonuar me golin e Tomorit nuk mjaftoi. Supersfida u mbyll mes përplasjeve verbale, ku nuk mungoi përdorimi i duarve dhe tre lojtarë u larguan nga fusha me kartonë të kuq.
Në fund, Interi triumfoi dhe festoi. Kjo ishte hera e parë në historinë e futbollit italian që titulli kampion vendoset në ndeshje derbi.
Zikaltrit kthehen në fron, pasi triumfi i fundit në kampionat ishte ai i vitit 2021 nën drejtimin e Antonio Kontes.
Menjëherë pas ndeshjes, tifozët e Interit pushtuan Duomo-n, për të festuar titullin e 20-të në histori. Klima dimërore, temperaturat e ulëta apo reshjet e shiut nuk e zbehën entuziazmin për këtë arritje.
Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve lokale bëhej fjalë për 15 mijë mbështetës zikaltër në sheshin kryesor të Milanos, por edhe mijëra të tjerë të shpërndarë nëpër qytet.
Këngët dhe thirrjet entuziaste u shoqëruan nga zhurma e tupanëve dhe fishekzjarrët. Flamujt dhe banderolat me dy yje mbizotëronin mes flakadanëve.
Pjesë e festës ishin edhe makinat, që ngadalësuan qarkullimin në rrugët kryesore të qytetit, duke festuar me zhurmën e borive deri në orët e para të mëngjesit. Mes automjeteve në rrugë u shfaq edhe një traktor, që hyri në qytet për të festuar triumfin.
Në pritje që moti të përmirësohet dhe të paradës me autobus të hapur, disa prej futbollistëve të Interit iu bashkuan festës nga ballkonet, ku përshëndetën tifozët entuziastë. (A2 Televizion)