Zinedine Zidane emërohet trajner i Francës, nis një epokë e re për “Les Bleus”

Nga A2 CNN
28 Korrik 2026, 13:14 | Futboll

Zinedine Zidane emërohet trajner i Francës, nis një epokë e

Legjenda e futbollit francez, Zinedine Zidane, është emëruar trajneri i ri i kombëtares së Francës për katër vitet e ardhshme. Federata Franceze e Futbollit konfirmoi të martën emërimin e 54-vjeçarit, i cili zëvendëson Didier Deschamps pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

Zidane merr drejtimin e “Les Bleus” në një moment kur kombëtarja synon të rikthehet në majën e futbollit botëror. Franca, që konsiderohej një nga favoritët për të fituar Botërorin e zhvilluar në Amerikën e Veriut, u eliminua në gjysmëfinale nga Spanja, e cila më pas u shpall kampione e botës. Më pas, francezët u mposhtën edhe nga Anglia në ndeshjen për vendin e tretë.

“Kam thënë gjithmonë se nuk ka asgjë më të madhe se kombëtarja e Francës. Është një gëzim dhe një nder i jashtëzakonshëm të bëhem trajner i saj. Është gjithashtu një përgjegjësi e madhe”, deklaroi Zidane në prezantimin e tij, duke falënderuar Federatën dhe Didier Deschamps për punën e bërë gjatë 14 viteve në krye të ekipit.

Për të ky është hapi i parë në futbollin e kombëtareve, pas një karriere të suksesshme në nivel klubesh. Ai drejtoi për herë të fundit Real Madridin në vitin 2021, duke fituar tre herë radhazi Champions League, dy tituj në La Liga dhe dy Kupa të Botës për Klube.

Si futbollist, Zidane mbetet një nga ikonat më të mëdha të Francës. Ai udhëhoqi ekipin drejt triumfit historik në Kupën e Botës 1998, duke shënuar dy gola në finalen ndaj Brazilit, ndërsa dy vite më vonë fitoi edhe Kampionatin Europian.

Tashmë objektivi i tij është të bëhet një nga të paktët në histori që kanë fituar Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner. Me një brez të mbushur me yje si Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé, Michael Olise, Désiré Doué dhe Bradley Barcola, pritshmëritë janë të mëdha që Zidane të rikthejë Francën në majën e futbollit botëror dhe ta udhëheqë drejt Botërorit 2030. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos