Garat e skive, përfundon Kampionati Kombëtar dhe Kupa Ballkanike

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2023, 13:21 | Sporte të tjera

Shqipëria mbylli Kampionatin Kombëtar të Skive 2023, teksa në mënyrë po aq të suksesshme organizoi për herë të parë edhe Kupën Ballkanike.

Gjatë dy ditëve, në Dolomite të Italisë, u zhvilluan disiplinat e Sllallomit dhe Sllallomit Gjigant. Në aktivitetin e organizuar nga Federata Shqiptare e Skive morën pjesë rreth 200 sportistë nga 25 shtete nga e gjithë bota dhe 8 vende të Ballkanit. 

Garat ballkanike u dominuan nga skiatorët sllovenë, ku Klemen Kosi për meshkuj fitoi si në Gjigant ashtu dhe në Sllallom. Në garën për femra, ditën e parë në sllalom triumfoi bullgarja Anina Zurbriggen, ndërsa në sllallom gjiant vijoi dominimi i skiatoreve sllovene, me Nika Tomsic që ishte më e shpejta në finish.

Në podium janë ngjitur edhe skiatorët rumunë, por festë kishte edhe për Shqipërinë. Talenti Denni Xhepa u rendit i dyti në Ballkan në disiplinën e Sllallomit Gjiant.

Në kategorinë e përgjithshme, garat janë dominuar nga skiatorët zvicerianë.

Për të katërtin edicion me radhë, Federata Shqiptare e Skive i zhvilloi aktivitetet në zemër të Dolomiteve, në Kronplatz. Mungesa e pistave në Shqipëri dhe infrastruktura perfekte që ofron pjesa e Alpeve e kanë kthyer në traditë zhvillimin e eventeve në veriun e Italisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos