Sulm me armë në një shkollë fillore në Serbi, raportohen të paktën 9 viktima

Nga A2 CNN
3 Maj 2023, 10:35 | Ballkani

8 fëmijë dhe një roje sigurie kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë që u regjistruan, në orët e para të mëngjesit, në një shkollë fillore në zonën e Vraçarit në Beograd.

Sipas të dhënave paraprake, një nxënës i klasës së shtatë ka qëlluar në drejtim të fëmijëve të tjerë dhe mësuesve në ambientet e shkollës “Vladislav Ribnikar”, rreth orës 08:40 sapo mësimi kishte filluar.

Deri në këto momente, raportohet dhe për 6 nxënës të plagosur dhe një mësuese, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital dhe po mbahen në kontroll, pasi gjendja e tyre nuk është shumë e mirë.

Forca të shumta policie dhe ambulancat kanë mbërritur në vendngjarje dhe pas disa minutash kanë vënë në pranga autorin e dyshuar, i cili mendohet se ka përdorur një armë automatike në pronësi të babait të tij.

Motivet e këtij krimi kaq të rëndë janë ende të pazbardhura, teksa rrugët që të çojnë në shkollën fillore janë bllokuar nga forcat speciale të policisë. Në vendngjarje kanë shkuar edhe ministrat e Arsimit dhe Shëndetësisë, Branko Ruzhiç dhe Danica Grujiçiç.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi