Sulm me raketa në Lviv, 4 viktima në një bllok apartamentesh

Nga A2 CNN
6 Korrik 2023, 07:14 | Bota

Një sulm raketor i Rusisë tronditi qytetin e Lvivit në Ukrainën Perëndimore, në kufi me Poloninë. Në shënjestër u vu një bllok apartamentesh, me pasojë vdekjen e të paktën 4 personave dhe plagosjen e rreth 32 të tjerëve. Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko njoftoi se disa banorë ishin shpëtuar nga pallati 4 katesh, ndërsa të tjerë besohet se janë të bllokuar nën rrënoja dhe kërkimet për nxjerrjen e tyre vijojnë.

Autoritet në Lviv e cilësuan këtë si një prej sulmeve më të rënda ndaj infrastrukturës civile në qytet.  Kryebashkiaku Andriy Sadovyi postoi një video që tregonte përmasat e shkatërrimit dhe bëri të ditur së mbi 50 apartamenti ishin dëmtuar. Një pjesë e madhe e çatisë së ndërtesës u hodh në erë, ndërsa dëme u raportuan edhe tek konvikti i një universitet politeknik.

“Siç mund të shihni qëllimi përfundimtar i Rusisë është të shkatërrojë shtetin ukrainas, por kjo luftë do të vazhdojë deri sa ukrainasi i fundit të jete në këmbë. Në do të fitojmë”, tha guvernatori rajonal,  Maksym Kozytskiy.

Presidenti Volodimir Zelenski u zotua për përgjigje të fortë ndaj atij që e quajti sulm terrorist në Lviv. Në një intervistë të dhënë për CNN, ai theksoi se furnizimi i ngadaltë me armë nga aleatët kishte detyruar Ukrainën të vononte kundërofensivën. Kjo gjë i dha mundësinë Moskës të fuqizojë mbrojtjen e vet në zonat e pushtuara.

“Vështirësitë në terren po e ngadalësojnë ofensivën. I gjithëterritori është I minuar”, deklaroi Zelenski. 

Shqetësuese vijon të mbetet situata rreth centeralit bërthamor të Zaporizhias, mes pretendimeve të Kievit për një sulm të mundshëm të Rusisë, kundër reaktorëve. SHBA tha se po monitoron situatën me kujdes.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos