Tirana përballë Bylisit, Partizani sfidon Kastriotin

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 19:14 | Futboll
Tirana përballë Bylisit, Partizani sfidon Kastriotin

Kur kanë mbetur dhe dy javë nga përfundimi i Superligës, titulli kampion mbetet një luftë në distancë mes dy ekipeve të kryeqytetit.

Pas fitores me Laçin, Tirana përballet me Bylisin, një ekip që shpreson deri në fund për mbijetesën. Në konferencën për shtyp, trajneri Shehi tregoi se pavarësisht objektivave të ndryshme që dy klubet kanë,  bardheblutë kanë në dorë fatin e titullit dhe futen në fushë vetëm për fitore.

“Çdo skuadër ka objektiva, por ne shohim punën tonë. Ne e kemi në dorën tonë. Nuk di të ketë ndeshje të lehta, ne i dimë forcat dhe uljet e veta kështu që nuk mund të them kush ka përballje më të forta. Ne jemi gjithmonë konkurrentë, por kemi pasur probleme me lojtarët, largime, dëmtime”.

Nga ana tjetër, Partizani luan me Kastriotin që vetëm matematika e mban në garë për mbijetesën. Trajneri Kolela tha se nuk i kanë humbur shpresat dhe do të bëjnë detyrën deri në fund. “Sigurisht që ne besojmë. Ne do ta bëjmë deri në fund. Presioni është diçka normale në këtë pikë. Kush nuk ka presion, nuk mund të bëjë as detyrën e trajnerit as të lojtarit. A e ndal Bylisi Tiranën? Pse jo, mund të ndodhë. Unë nuk bëj llogari për të tjerë, por për vete. Në futboll gjithçka mund të ndodhë”.

Sa i përket takimeve të tjera, Teuta luan me Egnatian në “Niko Dovana”, Vllaznia përballet me Laçin, ndërsa Kukësi përballet me Erzenin. Të gjitha takimet do të luhen në orën 16:00.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos