![Tiranë-Elbasan, rruga që vazhdon të shkaktojë kosto për](https://cdnimpuls.com/a2news.com/wp-content/uploads/2020/09/-1000-0-rruga-tirane-elbasan.jpg)
Ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan që nisi në vitin 2011, pas “Rrugës së Kombit”, ishte vepra e dytë më e madhe publike që ndërtohej në historinë e Shqipërisë.
Ministria e Transporteve në atë kohë, bënte me dije se autostrada e re do të shtrihej në një pjesë fushore dhe pa ndërlikime, përveçse pjesës së tunelit, gjatësia e të cilit u planifikua 4,3 kilometër.
Më 31 mars 2011, qeveria Berisha, miratoi marrëveshjen me Bankën Islamike për Zhvillim, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe tunelin e Kërrabës. Sipas marrëveshjes, kostoja totale e projektit arrinte rreth 407 milionë dollarë dhe gjysmën e kësaj shume do ta financonte Banka Islamike.
Afati i punimeve u parashikua të zgjaste 18 muaj nga fillimi i punimeve, pra do të hapej brenda vitit 2013. “Aktor” u shpall firma fituese e tenderit. Por, vetëm një muaj pasi në terren kishin filluar punimet për ndërtimin e kantierit e më pas fillimin e gërmimeve, projekti i tunelit të Kërrabës ndryshon. Autoritetet shqiptare ndërruan mendim për vendin në të cilin do të shpohej mali i Kërrabës duke e ulur lartësinë me 20 metra.
Inaugurimi i punës në dy tunelet e rrugës Tiranë-Elbasan, u bë vetëm 8 ditë para zgjedhjeve të 8 majit 2013. Por, bilanci i investimeve të rrugës Tiranë-Elbasan i tejkaloi kostot në mënyrë marramendëse. Pas ardhjes në pushtet, socialistët do të deklaronin se kosto e rrugës arriti në 450 milionë dollarë nga 312,5 milionë dollarë që u fitua tenderi për këtë rrugë nga kompania greke “Aktor”. Për shkak të problemeve financiare, punimet e rrugës u zvarritën për 3 vjet.
Ndërkohë, kompania greke Aktor paditi në arbitrazhin ndërkombëtar qeverinë shqiptare për punime shtesë në rrugë, të papaguara prej saj. Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit vendosi që qeveria shqiptare duhet t’i paguajë 44 milionë dollarë kompanisë greke. Kjo, pasi në momentin kur “Aktor” kishte nisur punimet shtesë, qeveria shqiptare largoi këtë kompani dhe pajtoi kompaninë “Inerte Ekspress”.
Kjo e fundit e mori pagesën prej 10 milionë euro për përfundimin e punimeve në rrugën Tiranë-Elbasan, ndërsa kompania greke do të marrë tashmë dëmshpërblimin 44 milionë dollarë nga buxheti i shtetit shqiptar. (A2 Televizion)