Shën Petersburgu në flakë, Ukraina lëshon raketat “Flamingo” mbi Rusinë: 571 dronë në ajër

Nga Xhevahir Qardaku
24 Korrik 2026, 15:31 | Bota

Shën Petersburgu i Rusisë u zgjua nga sirenat e alarmit, zjarri dhe tymi që errësoi qiellin. Një sulm me dron nga Ukraina goditi në agim disa zona, përfshirë magazina të shitësit më të madh online në vendin e drejtuar nga Vladimir Putini.

Autoritetet lokale ruse raportojnë dëme të shumta material dhe disa të lënduar. Një raketë lundruese “Flamingo” goditi mëngjesin e së premtes ndërtesën e kompanisë Avitek, në rajonin rus të Kirov, rreth 800 kilometra nga Moska. Impianti prodhon raketa antiajrore dhe komponentë të tjerë të destinuar për industrinë ushtarake të Rusisë.

“Për fat të keq ka viktima dhe të plagosur”, njoftoi guvernatori i atij rajoni. Ministria ruse e mbrojtjes bëri të ditur se gjatë natës dhe orëve të fundit, sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 571 dronë të lëshuar nga Ukraina në rajone të ndryshme, përfshirë kryeqytetin Moskë. Gjithashtu ka pasur sulme edhe në Detin e Zi dhe atë Azov.

“Forcat e mbrojtjes të Ukrainës goditën sot një prej ndërtesave ushtarake në Kirov të Rusisë. Ky impiant furnizon ushtrinë pushtuese me komponentë ajrorë dhe raketa, që angazhohen gjatë sulmeve masive kundër qyteteve dhe komuniteteve tona. Faleminderit ushtarëve tanë për saktësinë. Kundërpërgjigja jonë është plotësisht e justifikuar. Gjithashtu, në sulmet tona është goditur një impiant naftë në distancë prej 1350 kilometrash”, tha Zelensky.

Ushtria ruse nuk ka qëndruar duarkryq, por ka vënë në skenë një sulm të fuqishëm gjatë ditës. “Shpërthime në Kiev. Forcat e mbrojtjes ajrore janë operativë në kryeqytet. Kërkoni strehim të sigurt”, njofton kryebashkiaku, Vitali Klitschko. Sulme dhe shpërthime ka pasur edhe në rajone të tjera të Ukrainës, ndërsa forcat e armatosura ruse kanë mësyrë dhe infrastrukturën portuale me një ofensivë në Odesa, Izmail dhe Mykolaiv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos