Shqipëria ndodhet në vështirësi për investime të huaja, një ndër burimet e rritjes ekonomike të vendit në këtë periudhë krize. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë për një tkurrje të kapitalit të huaj që është futur në ekonominë shqiptare këtë vit. Në 6-mujorin e parë të 2020, investimet e huaja direkte ishin 454 milionë euro, me rënie 92 milionë euro kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Përfundimi i projektit të gazsjellësit TAP, por edhe pandemia e COVID 19 vlerësohen si arsyet kryesore të tkurrjes së investimeve të huaja. Por këta nuk janë faktorët e vetëm. Investitorët e huaj vlerësojnë se të bësh biznes në Shqipëri nuk është aspak e lehtë, përkundrazi. Pak ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit konstatoi se korrupsioni është pengesa kryesore, ndërkohë që faktorë të tjerë janë edhe përdorimi i lartë i Partneritetit Publik-Privat, si një praktikë shqetësuese që po dëmton konkurrencën apo edhe problemet e vjetra që nuk marrin zgjidhje, si pronësia mbi tokën, lejet e ndërtimit, pagesa e taksave, zbatimi i kontratave, etj.
Nga ana tjetër, shqetësuese është edhe qasja e qeverisë nga investitorëve, shpesh herë arbitrare në ndërprerjen e kontratave. Kjo ka bërë që shumë kompani t'i drejtohen arbitrazhit ndërkombëtar, duke ngarkuar me kosto financiare në miliona euro taksapaguesit shqiptarë. Rasti më i fundit ishte ai i kompanisë greke Aktor, e cila fitoi të drejtën në arbitrazh për dëmshpërblim në shumën e 44 milionë eurove, për shkak të ndërprerjes së njëanshme të kontratës dhe mospagesës së punimeve shtesë në projektin e rrugës Tiranë-Elbasan. (A2 Televizion)