Nisja e vitit shkollor, shtatori me shumë shpenzime për familjet shqiptare

Nga A2 CNN
11 Shtator 2020, 16:49 | Ekonomi

14 shtatori është dita që shënon nisjen e vitit të ri shkollor për rreth 400 mijë nxënës dhe shumë prindër po nxitojnë ende në ditët e fundit për të plotësuar nevojat e fëmijëve.

Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia ka goditur shumë familje shqiptare, që këtë shtator duhet të përballen edhe me shpenzimet për nisjen e vitit shkollor. Teksa librat do të jenë falas për nxënësit deri në klasën e nëntë, janë të pashmangshme shpenzimet për çanta dhe artikuj shkollorë, si dhe veshje për sezonin e ri.

Në bazë të çmimeve të tregut dhe atyre që deklarojnë prindërit, fatura për nisjen e vitit shkollor nis me tekstet mësimore, ku shpeshherë duhen plotësuar mungesat apo zëvendësuar ato to dëmtuara. Për librat janë paguar mesatarisht 5 mijë lekë, ndjekur nga 3 mijë lekë për artikuj shkollorë si fletoret dhe lapsat; 5 mijë lekë për çantën, 6 mijë lekë për veshjet dhe 5 mijë lekë në muaj për transportin, në rastin kur fëmija e ka shkollën larg, për një total prej 24 mijë lekësh.

Ndërsa një pjesë e familjeve, nisur edhe pasiguritë e shkaktuara nga kriza ekonomike, këtë vit kanë zgjedhur të tregohen më të kursyer.

Shpenzimet shkollore, pavarësisht teksteve falas mbeten të papërballueshme për një pjesë të madhe të shqiptarëve, duke iu referuar shifrave të INSTAT që 27% e familjeve me fëmijë në varësi jetojnë në kufijtë e varfërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos