Çështjet e Arbitrazhit, fatura e kripur rritet në 153,4 milionë euro

Nga A2 CNN
9 Shtator 2020, 20:06 | Ekonomi
Çështjet e Arbitrazhit, fatura e kripur rritet në 153,4

Vendimi i fundit i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në favor të kompanisë greke “Aktor” e rrit akoma më shumë faturën e kripur që shteti shqiptar duhet të paguajë për çështjet e humbura me kompanitë.

Deri në fund të qershorit, Ministria e Financave njihte 109,4 milionë euro detyrime për vendimet e Arbitrazhit. Tashmë, kësaj shume i shtohen 44 milionë euro për çështjen AKTOR, duke e çuar në një total prej 153,4 milionë eurosh shumën e parave që shqiptarët duhet të paguajnë për llogari të vendimeve të gabuara të ndërmarra nga qeveria.

Për ministren e Financave, Anila Denaj, këto detyrime nuk janë ende të formës së prerë, por në finale ato duhet të paguhen.

Zgjatja e proceseve gjyqësore të Arbitrazhit, në rast të një vendimi sërish në favor të paditësve, do të krijojnë një kosto më të madhe për shtetin shqiptar, që krahas shpenzimeve gjyqësore do të duhet të paguajë edhe interesat. Për faturën prej 153,4 milionë eurosh, Financat do të duhet të bëjnë ndërhyrje në programin buxhetor, duke shkurtuar fondet për zëra të tjerë të nevojshëm.

Për krahasim, shuma është e barabartë me të gjitha pagesat e bëra nga qeveria vitin e kaluar për familjet me ndihmë ekonomike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos