Më në fund zhytësit arritën në fund të një prej gropave më të thella nënujore në botë, të gjendur në ujërat pranë Belizes në Oqeanin Atlantik.
Gropa e Madhe Blu është e gjerë 318 metra dhe e thellë 124 metra dhe është një prej atraksioneve turistike kryesore të vendit. Që prej zbulimit të saj ka qenë një prej vendeve më joshëse për kërkuesit, por kishte mbetur e paeksploruar.
Në vitin 2018 një ekspeditë e financuar nga miliarderi Richard Branson arriti të dërgonte njerëzit deri në fund të gropës, por gjatë kësaj jave dëshmia e një prej pjesëmarrëseve hodhi dritë mbi rezultatet e saj. Ekspedita kishte për synim krijimin e një harter 3D të gropës, për të lehtësuar studimin e mëtejshëm të saj.
Sipas Erika Bergman, pjesë e ekuipazhit, fillimisht në gropë kishte breshka uji, peshkaqenë dhe korale gjigante. Por pasi kishin arritur 90 metra thellësi, shenjat e jetës ishin zhdukur. Ajo shpjegoi se një shtresë e trashë squfuri që ndalonte oksigjenin të zbriste më poshtë.
“Gjetëm gaforre të ngordhura, por edhe shishe plastike të hedhura aty dhe një aparat fotografik”, tha Bergman. “Gjetëm edhe trupat e dy njerëzve që kishin tentuar të shkonin deri në fund të gropës, por vendosëm vetëm të njoftonim autoritetet e Belizes dhe të mos ndërmerrnim asnjë veprim për nxjerrjen e tyre.
Shkencëtarët besojnë se Gropa e Madhe Blu është formuar gjatë Epokës së Akullnajave, 14 mijë vite më parë. Sipas tyre, ajo nuk do të ekzistojë edhe për shumë gjatë, për shkak se prurjet e ujit sjellin me vete rërë që e mbush gropën pak e nga pak çdo ditë. (A2 Televizion)