Ushtria amerikane po punon për të ndërtuar një sistem të inteligjencës artificiale që do të pajisë robotët me nivelin e botëkuptimit të një fëmije 10-vjeçar.
Agjencia e Projekteve Kërkimore të Avancuara në Departamentin e Mbrojtjes i ka bërë thirrje studiuesve që të prodhojnë një tip të ri të Inteligjencës Artificiale e cila do të jetë në gjendje të zgjidhë probleme të ndërlikuara. Synimi është që sistemi të jetë në gjendje të komunikojë më mirë me njerëzit dhe të kuptojë situatën në të cilën ndodhet më mirë se “makineritë” e mëparshme.
Projekti, i quajtur “Programi i Botëkuptimit të Makinerisë” është pjesë e një investimi 2 miliardë dollarësh e agjencisë në fjalë - dega kërkimore e ushtrisë amerikane – që ka shpikur edhe internetin.
“Mungesa e botëkuptimit nuk e lejon sistemin inteligjent më të përparuar që kemi ngritur deri më tani që të komunikojë natyrshëm me njerëzit, të sillet në mënyrë të logjikshme në situata të paparashikuara dhe të nxjerrë mësime nga përvoja”, tha një zëdhënës i agjencisë. (A2 Televizion)