Vala e inflacionit po tërhiqet. Prodhimi vendas nga njëra anë, rritja e normave të interesit nga tjera, kombinuar me nënçmimin historik të euros kanë bërë që treguesi i zhvlerësimi të parasë përballë rritjes së çmimeve të bjerë në 4,2 për qind. Ky nivel është më i ulëti që nga marsi 2022 kur nisi edhe lufta në Ukrainë.
“Arsyet që çuan në rënien e inflacionet janë të brendshme dhe të jashtme. Ato të jashtme lidhen me stabilizimin e tregjeve ndërkombëtare, kryesisht me ato të bashkimit euro. Po i blejmë më lirë produktet nga jashtë si pasojë e kursit të këmbimit”, thotë Teuta Nunaj, eksperte e ekonomisë.
Kontribut të rëndësishëm në rënie e inflacionit të përgjithshëm ka pasur edhe transporti. Rënia e çmimeve të karburanteve ka bërë që inflacioni te kjo kategori të bjerë me 132,4 për qind në korrik.
Ndërkohë, inflacioni te ushqimet vijon të mbesë në nivelet më të larta historike. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se krahasuar me korrikun e një viti më parë, buka, mishi, bulmeti apo zarzavatet që shqiptarët konsumuan muajin e shkuar ishin 9 për qind më të shtrenjta.
“Aty ku kemi një kërkesë më të lartë, rrjedhimisht kemi edhe normë më të madhe inflacioni. Kjo për qytetarët do të thotë se çmimet e larta janë një zakonti. Ato mund të ulen vetëm nëse importuesit do i shesin produktet më lirë”, thotë Nunaj.
Në programin buxhetor afatmesëm 2024-2026, qeveria pret që inflacioni të rikthehet në nivelin 3 për qind brenda këtij viti. Po sa i mundur është ky objektiv? “Do të thosha që jo. Inflacioni në objektiv mund të kthehet në vitin 2024. Janë shumë faktorë që nuk e lejojnë që inflacioni të zbresë me ritme aq të shpejta”, thotë Nunaj.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se ishin pikërisht turistët ata që e rritën inflacionin te hotelet, restorantet dhe kafenetë në korrik. Shtimi i kërkesës, shoqëruar me rritje të çmimeve e çoi inflacionin te kjo kategori shërbimesh në 5 për qind nga 4.8 për qind që ishte në qershor. (A2 Televizion)