Një person është arrestuar në lidhje me sulmin terrorist nga organizata IRA të vitit të largët 1996 në qendër të qytetit të Mançester në Angli.
Për fat të mirë, nga shpërthimi i madh, askush nuk ndërroi jetë, por 212 persona mbetën të plagosur, ndërsa dëmet materiale u llogaritën në 700 milionë paund.
Pamjet e bëra publike nga shpërthimi tregojnë trimërinë e dy policëve, të cilët shpëtuan jetët e shumë qytetarëve, duke i vendosur ata në vende të sigurta përpara se kamioni me eksploziv të shpërthente.
Arrestimi ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në aeroportin e Birmingemit. Ai akuzohet për vepra terroriste, ndërsa dyshohet se ka lidhje me sulmin e tmerrshëm në Mançester. Personi i arrestuar do të merret në pyetje mbi ngjarjen.
“Edhe pse askush nuk ndërroi jetë nga sulmi terrorist i IRA-s në vitin 1996, qindra njerëz mbetën të lënduar duke iu ndryshuar jetën.
Ne kemi qenë dhe jemi të përkushtuar për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e atij sulmi, edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite”, tha detektivi Andrew Meeks, Shefi i Hetimeve për Policimin Kundër Terrorizmit. (A2 Televizion)