Vijon numërimi i votave në Turqi, Erdogan nis shkëputjen

Nga A2 CNN
14 Maj 2023, 18:46 | Bota

Rreth 60,7 milionë qytetarë votuan sot në Turqi, kurse jashtë vendit u regjistruan 3,4 milionë votues. Në këto zgjedhje, 4,9 milionë qytetarë votuan për herë të parë.

Çdo votues hodhi dy vota, një për Presidentin dhe tjetra për parlamentarët, të cilët do të shërbejnë për një tjetër mandat pesëvjeçar.

Rezultatet paraprake nxjerrin përpara Presidentin Erdogan:

Referuar rezultateve aktuale të përditësuara nga CNNTURK rezulton se, Recep Tayyip Erdoğan deri më tani ka marrë 51.79 për qind të votave, ose 15.241.840 vota.

Ai ndiqet nga rivali i tij kryesor, Kemal Kılıçdaroğlu, me 42.36 për qind të votave, ose 12.466.829 vota. Më pas vjen Sinan Oğan me 5.32 për qind, i ndjekur nga Muharrem Ince me 0.52 për qind të votave.

Rezultatet e kutisë së votimit ku ka votuar Erdogan:

Presidenti Erdogan ka marrë numrin më të madh të votave nga kutia e votimit me numër 3279 në shkollën e mesme “Üsküdar Saffet Çebi”, ku ai ka votuar. Erdogan mori 212 vota, Kemal Kılıçdaroğlu 132 vota dhe Sinan Ogan 12 vota.

Votuesit do të zgjedhin midis Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, që kërkon rizgjedhjen, kandidatit kryesor të opozitës Kemal Kılıçdaroğlu dhe Sinan Oğan. Muharrem Ince, një tjetër pretendent presidencial, u tërhoq nga gara më herët të enjten.

Megjithatë, pavarësisht tërheqjes së tij, Këshilli i Lartë Zgjedhor (YSK), autoriteti zgjedhor i Turqisë, ka konfirmuar vlefshmërinë e votave për kandidatin.

Në zgjedhje garojnë mbi 30 parti politike dhe 150 kandidatë të pavarur deputetë. Pesë blloqe shumëpartiake janë në garë: Aleanca Popullore, Aleanca e Kombit, Aleanca e Paraardhësve, Aleanca e Punës dhe Lirisë dhe Aleanca e Bashkimit të Forcave Socialiste. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/14/zgjedhjet-presidenciale-perfundon-votimi-ne-turqi-fillon-procesi-i-numerimit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos