Zona pranë fshatit Dukat është kthyer në vatrën më problematike të zjarrit që ka ditë të tëra që djegin bimësinë në Karaburun. Ndryshimi i drejtimit të erës jo vetëm që ka favorizuar dhe fuqizuar vatrat e zjarrit, por ka shtuar edhe rrezikun e përfshirjes nga flakët të Parkut Kombëtar të Llogorasë.
Për këtë arsye, qindra forca të armatosura, të mbështetura nga mjete logjistike motorike toke, por edhe ajrore, si dhe me ndihmën e Emergjencave Civile dhe pushtetit lokal kanë nisur një operacion të gjerë për vënien nën kontroll të flakëve.
Situatën nga afër po e ndjek edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili gjatë një prononcimi për A2, është shprehur se paralelisht me operacionet për fikjen e zjarrit, po hetohen dhe verifikohen autorët e këtyre zjarrvënieve të qëllimshme, sipas tij.
Ndërkohë, për momentin nuk pritet ndonjë ndihmë konkrete nga vendet fqinje, pasi situata e zjarreve është problematike thuajse në të gjithë rajonin e Ballkanit, por edhe në Italinë fqinje dhe në këto kushte, barra kryesore për të përballuar situatën i takon Forcave të Armatosura dhe reparteve zjarrfikëse. (A2 Televizion)