U deshën plot katër muaj që Gjykata e Posaçme të çelë shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt shkurtin e vitit 2005. Për dy ngjarjet e bujshme të 17 viteve më parë, SPAK akuzon shtatë persona, si anëtarë të një grupi kriminal. Mes tyre janë Emiliano Shullazi dhe i penduari i drejtësisë në këtë çështje, Luftar Reçi, si dhe të shpallurit në kërkim, Lulëzim Berisha e Plaurent Dervishaj.
Përmes një materiali prej 91 faqesh, referuar thënieve të të penduarit të drejtësisë dhe provave të sekuestruara pas krimeve, prokurorët e SPAK rindërtuan para gjykatës ekzekutimin e Saliut me breshëri automatike në aksin Tiranë-Durrës, si edhe atë të Lamajt, me një shpërthim eksplozivi në ashensorin e pallatit të tij në kryeqytet.
Në ngjarjen e parë i penduari i drejtësisë Luftar Reçi ka pretenduar se ka qenë në timonin e automjetit të atentatorëve, ndërsa për tjetrën ka pohuar se është personi që siguroi minën me telekomandë të përdorur në krim. Prokurorët i thanë gjykatës se thëniet e të penduarit gjenin mbështetje në prova të tjera. Për vrasjen e Saliut, të tilla u konsideruan konfirmimi i llojit të mjetit të krimit, i ngjyrës së tij, si edhe kontaktet dhe njohja që kishin të pandehurit me njëri-tjetrin.
Para se të njihej me kërkesën për gjykim, gjykata refuzoi të gjitha kërkesat paraprake të bëra nga avokatët. Ata kërkuan moskompetencë, pavlefshmëri të disa akteve të dosjes, si edhe pavlefshmëri të deklarimeve të të penduarit të drejtësisë. Në vijimësi, avokatët kanë kundërshtuar provën kryesore të prokurorisë, rrëfimin Reçit, duke e cilësuar atë të pavërtetë, abuziv dhe të pabazuar në prova. (A2 Televizion)