Zgjidhet e ardhmja e portierit, 12 milionë euro në sezon, Donnarumma zgjedh PSG

Nga A2 CNN
9 Qershor 2021, 17:10 | Futboll
Zgjidhet e ardhmja e portierit, 12 milionë euro në sezon, Donnarumma

Ashtu sikundër bëri me dije edhe trajneri i përfaqësueses italiane Roberto Mancini, Gigi Donnarumma do të luajë në Euro 2020 duke e ditur se cila do të jetë skuadra e tij e re.

E ardhmja e portierit të Milanit është zgjidhur dhe tashmë pritet vetëm e zeza mbi të bardhë. Donnarumma do të jetë portieri i ri i Paris Saint Germain, klubit francez që ka mposhtur konkurrencën e Juventus dhe Barcelonës për këtë transferim.

Konfirmimi i portierit polak Scezney nuk le vend për afrimin e Donnarummas te Juventus dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Barcelonën që do të vazhdojë t’ja besojë katërkëndëshin portierit Ter Stegen.

Prandaj, gardiani i kombëtares italiane do t’i bashkohet Paris Saint Germain për 5 vitet e ardhshme dhe do të përfitojë 12 milionë euro në sezon. Një fakt interesant, është që 22-vjeçari nuk do të mund të vesh më fanellën e tij me numrin 99.

Rregullorja në kampionatin francez i lejon portierëve vetëm numrat 1, 16, 30 dhe numrin 40 që mund të bëhet në rast përjashtimi, por ky aspekt duket të jetë ndër problemet e fundit për portierin dhe agjentin e tij të mirënjohur Mino Raiola që kanë pranuar ofertën më të leverdishme financiare.

Donnarumma do të jetë përforcimi i dytë i francezëve pas firmës edhe me mesfushorin Ëilnajdum që refuzoi në momentet e fundit Barcelonën për të kaluar në Paris. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos