A2 CNN | REPORTAZH

Lumi i kokainës, “solidariteti” ballkanas dhe vija shqiptare e gjakut

Julian Kasapi, A2 CNN

Sa më shumë duket sikur rritet vëmendja ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, aq më shumë shtigje të reja krijohen. Vendi më i madh i prodhimit të kokainës shton çdo vit sasitë, ndërkohë që korridoret nga vërshon droga drejt vendeve të tjera, bëhen edhe më të gjera.

Ekuadori nuk ka qenë kurrë një vend i rëndësishëm prodhimit dhe trafikimit të drogës, por Ekuadori është vendi më i rëndësishëm i transitit të drogës. Që prej vendosjes së paqes mes qeverisë kolumbiane dhe forcave të armatosura revolucionare kolumbiane (FARC), një pjesë e mirë e grupeve kriminale të Kolumbisë u zhvendosën në Ekuador.

Terreni nuk ishte i pashkelur. Prej më shumë se dy dekadash grupe të ndryshme kishin vendosur korridoret lidhëse, ku droga rrëshqiste lehtësisht drejt Amerikës Qendrore, Amerikës së Veriut dhe Evropës. Më të spikaturat ishin padyshim grupet kriminale nga Ballkani.

Grupet kriminale të Ballkanit perëndimor ndahen në 6 kategori të mëdha.

Të dhënat zyrtare flasin se numrin më të madh të shtetasve me kombësi të huaj e kanë kroatët që pasohen nga maqedonasit, serbët e më pas renditen shqiptarët.

Sipas autoriteteve ekuadoriane, historikisht mes tyre ka pasur bashkëpunim ndërsa zonat e influencës janë të ndara, kryesisht në Jug të Guayaquil, aty ku dhe bëhet magazinimi i kokainës e më pas shpërndarja me barka të vogla drejt kontejnermbajtësve.

Pikat më të nxehta në Guayaquil janë Porti kombëtar dhe ai që njihet si Puerto Nuevo ose Porti i ri. Në dalje të qytetit janë dhe dy pika të tjera të cilat kontrollohen nga grupet kriminale. Ato janë Posorja dhe Machala.

Të gjitha kanë porte, ndërsa puna për futjen e kokainës nëpër kontejnerë bëhet pikërisht në këto terrene.

Por për të shkuar deri tek 4 pikat dalëse të Guayqauil dhe për të nxjerrë kokainën prej aty, më parë duhet të shpjegojmë se kush e ka kontrollin mbi këto zona. Në gjenezë në Ekuador dy janë grupet që kontrollojnë zonat e influencës. Ato janë: Los Choneros dhe Los Lagartos.

Të krijuara kryesisht në burgjet e vendit, rivaliteti mes tyre ka të bëjë me kontrollin e zonave të influencës në trafik. Prej vitesh shtrirja e tyre është zgjeruar në burgjet e Ekuadorit duke krijuar përgjatë vitit 2021 dhe luftën më të madhe në historinë e vendit brenda sistemit penitenciar.

Lufta mes bandave më të mëdha rivale të Ekuadorit detyroi qeverinë të shpallte gjendjen e emergjencës ndërsa qindra persona u ekzekutuan brenda qelive. Rreth 38 mijë të burgosur vuajnë dënimet e tyre në 60 burgje të Ekuadorit të dizajnuara që të mbajnë në total 29 mijë të dënuar.

Por le të kthehemi tek skema se si këto dy grupe kontrollojnë kontaktet me grupet e kombësive të tjera. Los Choneros dhe Los Lagartos kanë lidhje të hershme me kartelet kolumbiane dhe ato peruane në kufirin e të cilave sigurojnë tonelatat e kokainës. Rrjeti funksionon në këtë mënyrë. Grupet e mëdha mbështeten dhe nga grupe të tjera të identifikuara si Los Tiguerones Los Lobos dhe Chone Killers.

Grupet e Ballkanit Perëndimor të përmendura më sipër kur hyjnë në territor për t’u bërë pjesë e zinxhirit të kokainës ndonëse kanë bashkëpunim mes tyre u nevojitet përkrahja e grupeve vendase të cilat krijojnë kushtet dhe të gjithë infrastrukturën për nxjerrjen e Kokainës nga portet.

“Qytetarët e nacionaliteteve të tjera nuk ndërhyjnë drejtpërsëdrejti, gjithmonë kërkojnë liderët e organizatave të vendit, bëjnë marrëveshjet për ngarkimin, ata paguajnë, por është e qartë që liderët. Sepse ata vijnë nga shtete të tjera dhe nuk njohin mjetet, ndaj mënyra më e mirë për të arritur tek mjeti është të arrijnë tek liderët e vendit ku shkojnë. Në këtë rast, kemi dijeni që ata paguajnë liderët dhe ata më pas kanë si detyrë të ndajnë punët në porte ose në aeroporte për dërgimin e substancave. Ata janë persona të panjohur, askush s’do të bëjë marrëveshje me ta, por me liderët vendas po që do të bëjnë marrëveshje për të marrë komisionin e tyre”, thotë prokurori Cesar Pena.

Të njëjtën gjë kanë bërë grupet shqiptare. Pasi kanë hyrë në Ekuador dhe më konkretisht në qytetin i cili ka më shumë porte, Guayaquil, kanë krijuar kontaktet e para me grupet kriminale vendase.

“Ata bëjnë dy role kryesore: i pari, të vihet re prezenca e tyre në vend për të treguar se ata mund të arrijnë të veprojnë dhe i dyti, të verifikojnë se bizneset me të cilët ata do të punojnë të jenë të duhurit. P.sh. vjen ai dhe fillon të bëjë mbledhje. Ata nuk mblidhen në një park, në një dyqan, në shtëpi, ata kërkojnë qendra komerciale, restorante luksoze, palestra, vende ku shkojnë shumë njerëz, por që të jenë njerëz të një niveli ose statusi të lartë, kështu mund të bëjnë negociatat. Sepse nuk i pëlqen të bëjnë negociatat në telefon, i pëlqen t’i bëjnë personalisht. Për këtë vijnë në vend, qëndrojnë 8 ditë më pas dalin nga vendi. Ndonjëherë nuk shkojnë në Europë, shkojnë në Peru, në Kili, në Kolumbi”, thotë gazetari investigativ ekuadorian, Stalin Carrion.

“Për aq sa unë kam njohuri ata bëjnë rolin e sipërmarrësve duke pasur lidhje me grupet narko-kriminale, për këtë arsye jetojnë një kohë të gjatë këtu, për të njohur tregun, për njohur si menaxhohet dhe dërgohet. Më pas kthehen jo patjetër në Shqipëri, kam dijeni që shkojnë në shtete të tjera ku bëjnë tregti: Itali, Greqi, Turqi, Spanjë, sepse me sa dimë në Shqipëri shumë nga ata kanë urdhër nga Interpoli, ndaj ata shkojnë në vende të tjera, për këtë kemi dijeni”, tregon prokurori Pena.

Por nga ana tjetër grupet kriminale vendase ofrojnë dhe eliminimin e kundërshtarëve në trafik. Diçka e tillë bëhet sepse atyre u intereson shitja e kokainës dhe vazhdimi i biznesit.

“Në Shqipëri ju keni liderët tuaj të mëdhenj, janë pak që drejtojnë. Por kur janë këtu në Ekuador, ndihen të lirë dhe në mendjen e tyre thonë, këtu unë mund të kem kontroll ose mund të kem grupin tim dhe kjo ndodh si në rastet e personave që janë vrarë. Janë persona që me shumë mundësi kanë dashur të pavarësohen, të bëjnë jetën e tyre, rrjetin e tyre. Por mafia ballkanike ka shumë kontroll këtu, ka grupe të armatosura që janë të bandave të tjera, banda ekuadoriane, por që i bëjnë favore atyre që të vazhdojnë t’i shesin drogë”, thotë Carrion.

Kështu ka ndodhur edhe me grupet shqiptare. Ata filluan të eliminojnë njëri-tjetrin.

Prokuroria e Ekuadorit pas sekuestrimit të telefonit celular të Remzi Azemit kur ai mbeti i plagosur, nxori në pah dhe të gjithë grupin kriminal me të cilin bashkëpunonte ai, të cilët ishin kryesisht serbë dhe malazezë.

Të dhënat e siguruara nga A2 CNN në Ekuador tregojnë se Remzi Azemi kishte shkëmbyer mesazhe me Fadil Kaçaniç, një shqiptar nga Mali i Zi, ndërsa emri i tij lidhej dhe me ekzekutimin e Sasa Spasiç nga Serbia, në një qendër tregtare në Guayaquil.

“Remzi Azemi është një rast tjetër, ai kishte familje në Ekuador, kishte një grua ekuadoriane, me të cilën qarkullonte në makinën e tij. Me sa dimë ai gjithmonë qarkullonte me persona që i jepnin siguri, në makina të blinduara, por ditën e atentatit, ai nuk ishte me roje sigurie dhe as kishte marrë masat e sigurisë së nevojshme. Pse? Sepse gruaja e tij uli xhamin e makinës së blinduar dhe në momentin kur ajo zbriti për të pirë një duhan, u shfaqën kriminelët që tentuan ta vrasin. E qëlluan, por nuk ia arritën ta vrasin. Remzi Azemi kishte lidhje me të gjithë viktimat e tjerë, Kosovarë, Serbë. Kishin lidhje. Pse? Sepse kur u bë hetimi, në telefonin e Remziut u gjetën mesazhe të Kalkanit (Kaçaniç). Kishte mesazhe Remzi dhe ai gjithashtu ishte i lidhur me pjesëtarët e tjerë të mafies ballkanike që kishin qenë sulmuar. Më tej mund të shohim se në rastin e fundit që u realizua, jo në të fundit por në të parafundit, në një qendër komerciale, (Sasa Spasic) këtë person e lidhnin gjithashtu me Remzi Azemin dhe me të gjithë personat e përfshirë”, thotë Carrion.

“Në rastin e Remzi Azemit, edhe ai në po të njëjtin rol, ai kalonte pothuajse të gjithë ditën në palestër dhe ishte një tregtar-investitor i kamufluar në shtetin tonë. Në rastin e Kaçaniç, kishim dijeni që ai gjithashtu kryente të njëjtat aktivitete, të tregtarit-investitor të rremë. Por me hetimet e kryera kishim dijeni që ai gjithashtu i dedikohej trafikimit të substancave. Të gjithë ata ishin të lidhur me të njëjtën fushë. Të gjithë ata ishin të lidhur nëpërmjet telefonatave. E dinim që ishin familje, të njohur dhe po vriteshin midis tyre për të mbuluar të vetëm tregun”, kujton Pena.

Pas daljes së tij nga burgu për motive ende të paqarta dy persona i bënë atentat në qendër te qytetit, por ai shpëtoi i plagosur.

E njëjta histori dhe me Fadil Kaçaniç shqiptarin nga Mali u Zi, u cili nuk kishte shumë kohë që ishte liruar nga burgu, në vitin 2017.

Ajo që prokuroria vuri re ishte pasurimi i menjëhershëm i Fadil Kaçaniç, pak kohë pas vrasjes së Hidrit. Kjo shpjegohej dhe me faktin se ai bleu një vilë luksozë në zonën e njohur si Via la Costa.

“P.sh. kur i bëhet ndonjë krim atyre, qytetarëve të huaj, ata nuk denoncojnë. Ata zakonisht thonë, jo vetëm nga Shqipëria, ‘’ Ne dimë sesi të bëjmë drejtësi vetë’’. Kështu thonë ata. Këtu patëm një rastin e një irakiani, që e kishin rrëmbyer dhe i kishin marrë 3 milion euro. Ai kurrë nuk denoncoi, por në lidhje me rrëmbyesit ai më tha dëgjo prokuror ne nga vendi jonë bum. Po, kështu janë ata. Ata marrin ligjin në duart e tyre”, thotë Pena.

Dhe ligji u mor në duart e  grupit tjetër kriminal, të cilët pas atentatit të dështuar ndaj Remzi Azemit bënë të mundur eliminimin e ortakut të tij, Fadil Kaçaniç, njëri prej personave që dyshohej se kishte bashkëpunuar me Remzi Azemin.

Një vit pas ekzekutimit të Ilir Hidrit në Guayaquil të Ekuadorit, një tjetër shqiptar nga Mali i Zi u ekzekutua pikërisht ne Guayaquil. Fadil Kaçaniç u rrëmbye nga shtëpia e tij së bashku me bashkëshorten dhe u ekzekutuan. Trupat e tyre u gjetën në një zonë vetëm pak metra larg nga rruga kryesore, e cila njihet si “Via la Costa”. Sipas autoriteteve ekuadoriane, Kaçaniç kishte vetëm pak muaj qe ishte liruar nga burgu, ndërsa ishte një pjesëtar aktiv i narkotrafikut.

2 persona të maskuar si efektivë policie do të paraqiteshin në shtëpinë e tij, me dy automjete të njëjta. Me një urdhër të rremë ndalimi ata hynë në banesë dhe qëlluan për vdekje bashkëshortët.

Por vija e gjakut nuk do të ndalonte me kaq, deri kur në nëntor të vitit 2020, gati tre vite nga saga e ekzekutimeve do të vritej shqiptari tjetër, Adriatik Tresa. Ndonëse ishte marrë në pyetje për ekzekutimet e vitit 2017, Adriatik Tresa ishte lënë jashtë hetimeve, pasi u konkludua se kishte njohje me Ilir Hidrin ndërsa të dyshuarit kryesorë mbeteshin Remzi Azemi dhe Fadil Kaçaniç.

Përgjatë viteve ai u hetua dhe si i përfshirë në disa aktivitete kriminale, si pastrim parash, trafik narkotikësh, armëmbajtje pa leje, por asnjëherë drejtësia nuk ngriti akuzë të provuar kundër tij.

“Në lidhje me bashkëshorten e tij, thuhet se ata nuk kishin lidhje me policinë, por me sistemin gjyqësor, mbase dikë në prokurori, kjo gjë përmendej, ministria publike i thonë gjithashtu këtu. Adriatiku u vra gjithashtu në mënyrë shumë të planifikuar. Këto nuk janë krime të improvizuara. Erdhën persona të veshur si policë. Dyshohet që midis tyre të ketë pasur edhe policë të vërtetë. Dyshohet… Ata futen dhe gjithashtu kunata, motra e gruas u procedua. Sepse është i dyshimtë fakti që ajo të ishte zgjuar ende në këtë orë duke folur me të, është sikur ajo ta kishte mbajtur zgjuar aty. Për këtë arsye prokuroria dyshoi dhe e procedoj kunatën, domethënë motrën e gruas. U hetua për të përcaktuar nëse kishte ose jo ndonjë lidhje”, tregon gazetari investigativ ekuadorian, Carrion.

“Policia i tha te gjithë komunitetit, te gjithë vendit, te gjithë botës që mund të jetë produkt i paligjshmërisë, i disa krimeve të organizuara. Jo, kjo është e gënjeshtërt! Përse policia e fshehu ketë? Përse policia pavarësisht se ka video nuk mund të ndalonte as sot e kësaj dite asnjë person të vetëm në lidhje me vrasjen. Nuk u bë ndjekja. Çfarë ndodhi? Çfarë bëri policia dhe prokuroria? Hetuan vetëm familjen e tij. Aty ishte kunata e tij. Atë e proceduan dhe prokuroria nuk kishte me çfarë të tregonte që ajo ishte pjesë e vrasjes së Adriatikut. Ajo ishte një viktimë por shteti e procedoi”, thotë avokati Diego Camacho.

40-vjeçari nuk rezultonte në asnjë nga skedarët e policisë shqiptare, por prokuroria Ekuadoriane kishte dyshime. “Mos të harrojmë se Adriatik Tresa erdhi duke u fshehur nga Evropa sepse ai drejtonte një organizatë kriminale të lëndëve narkotike. Ai jetonte këtu që prej 10 viteve. Ai ngriti le të themi një biznes farmaceutik dhe një zdrukthëtari sipas informacionit të marrë nga faqet e internetit të shtetit tuaj. Ai ka qenë i përfshirë në disa vrasje të personave shqiptarë. Këto raste kam qenë duke i hetuar dhe e kam njoftuar që të vijë në prokurori në mënyrë vullnetare”, thotë prokurori Cesar Pena.

Persona të maskuar si efektivë policie mbërritën në rezidencen Bali ku jetonte Adriatik Tresa. Zona është vetëm disa kilometra larg qendrës së Guayaquil, ndërsa me një mandat të rremë kontrolli ata arritën të futeshin në brendësi të rezidencës.

“Adriatik Tresa erdhi nga Evropa për t’u bërë një sipërmarrës. Ai ishte një biznesmen i suksesshëm. Kishte miq nga te gjitha anët, shumë miq. Vrasja e tij është shumë e veçantë, në të cilën ekzistojnë video ku hyjnë njerëz të veshur si policë, jo me armë të vogla, por me armë shumë të mëdha. Armë aq të mëdha sa vetëm një e shtënë do të ishte e aftë të thyente një kockë. Vetëm një e shtënë! Ka video si hyjnë, ka video për të gjitha, por policia kurrë nuk bëri ndjekje për të kapur kriminelët. Për më tepër policia, menjëherë pas vrasjes se Adriatik Tresa, doli dhe tregoi ai se kishte dosje penale. E gënjeshtërt. Një dosje penale, nuk është kur dikush kapet, është kur dikush dënohet për një krim. Ai kurrë nuk ka qenë i dënuar për asgjë. Ai ishte një person i hetuar dhe të gjitha hetimet përcaktonin një gjë të vetme: Që ai kurrë nuk qe përgjegjës për asgjë! Ai ishte i pafajshëm”, thotë avokati Diego Camacho.

Hetimet ndonëse të rezervuara kanë nxjerrë në dritë se në ekzekutimin e Adriatik Tresës të jetë i përfshirë dhe një efektiv i policisë së burgjeve në Guayaquil.

“Dyshohet për këtë, mendohet se ishin policë realë për nga mënyra se si vepruan, mënyra e të ecurit dhe mënyra se si hynë në ndërtesë. Këtu në Ekuador është shumë e thjeshtë për të kuptuar kush është polic, mjafton të shohësh mënyrën se si ecën, si bën një gjest, atëherë të imitosh këto lëvizje është e vështirë sepse është diçka spontane, diçka që mësohet me praktikë e dita ditës. Vetëm fakti se si kapin një armë, ecin, lëvizin, kuptohet që janë policë të vërtetë. Për këtë edhe prokuroria kishte dyshime dhe me atë që përmend avokati, familja dyshonte se mund të ishte i përfshirë të paktën një polic”, thotë gazetari Carrion.

“Duhet të hetojnë, pasi lëvizjet e vrasësve janë… atyre ua ka mësuar dikush. Dhe ku e mësojnë të gjithë ketë? Epo në polici! Mund të jenë policë, mund të jenë persona të stërvitur për të kryer këto lloj krimesh. Edhe mundet. Por shkathtësia, lëvizjet qe bëjnë janë shumë të rrjedhshme, atëherë kanë pasur stërvitje. Nuk e dimë me siguri nëse ishin policë, nëse ishin ushtarë”, thotë avokati Camacho.

Por për prokurorinë, historia nuk mbaron me ekzekutimin e Tresës. “Supozohej se ai jetonte në qytetin Amanes, por ndryshonte adresë vazhdimisht. Na kishte ardhur një lajmërim se çfarë personi ishte ai dhe normalisht po i bënin ndjekjen konkrete. Por fatkeqësisht vitin e kaluar, më 20 nëntor të vitit 2020, hynë në brendësi në qytetin Daule, persona të veshur si policë e qëlluan dhe e vranë me pushkë. Kjo ishte historia e fundit që kemi hetuar dhe lidhet me të. Kjo sjell që, duke nisur nga momenti i vrasjes së një lideri, të fillojë lufta e territorit. Cilat territore? Në këtë rast, territoret e transportimit të drogës nga portet e këtij shteti në drejtim të Evropës, konkretisht Holandës, Greqisë, Italisë”, thotë prokurori Pena.

Lufta për territor zhvillohet në të njëjtin vend, Lumin e kokainës. “Por trafikantët shpikin çfarëdo lloj metode për të fshehur drogën në kontejnerë. Për më tepër, në zonën e Cuarantenës, në Posora, në gjirin e Guayaquil shkojnë varka të shpejta. Hipin me autorizimin e kapitenëve të këtyre varkave dhe i ngarkojnë që nga varkat e vogla drejt kontejnerëve”.