Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Rama: Begaj përmbush nevojën alarmante që ka Presidenca për një njeri normal

Nga A2 CNN
4 Qershor 2022, 10:33 | Politikë
Rama: Begaj përmbush nevojën alarmante që ka Presidenca për

Një proces jo i lehtë për një figurë që do të përmbushë kërkesa shumë specifike, e ka cilësuar kryeministri Edi Rama përzgjedhjen e kandidatit Bajram Begajt për postin e kreut të ri të shtetit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama theksoi se Begaj përmbush nevojën alarmante që ka institucioni i Kreut të Shtetit për një njeri normal.

“Një proces që për natyrën e vet është jo i lehtë. Për shkak se siç e kemi diskutuar jo në një rast bëhet fjalë për të identifikuar një figurë e cila do të përmbushë kërkesa shumë specifike, por në të njëjtën kohë për të garantuar dhe respektin dhe moscenimin e të gjithë kandidatëve potencialë në një proces diskutimi që kthehet në një thashethemnajë të madhe dhe që merr rrugët e pazarit mediatik. Procesi që ne zhvilluam këtu në grup na dha të drejtë në fund. Marrja e propozimeve nga gjithë anëtarësia e grupit me zarfat e sekretuar që pastaj u vunë në dispozicion të Kryesisë së PS-së për një diskutim konkret emër për emër dhe kategori për kategori së bashku me pjesën tjetër të punës që u bë nga komisioni i posaçëm që ne përzgjodhëm, mandatuam për të komunikuar më palët e tjera në parlament, apo për të hapur dhe kanale të tjera komunikimi me përfaqësues të shoqërisë civile këtu në Kuvend na mundësuan që të arrijmë në një konkluzion që besoj përmbush nevojën alarmante që ka gjithë ngrehina institucionale e shtetit për një njeri normal në zyrën e Kreut të Shtetit, për një figurë sa të lartë në aspektin institucional aq dhe të pa angazhuar në gjithë përplasjet apo rrugët që kryqëzohen në arenën politike”, deklaroi Rama.

Kryeministri zbardhi në mbledhjen e grupit socialist prapaskenat për daljen e emrit të kandidatit për President, ku ndër kandidaturat ishte edhe emri i ish-kryeministrit socialist Fatos Nano.

“Drejtimi i dytë ishte drejtimi që adresonte mundësinë për kandidatura që nuk janë anëtarë të grupit të PS, por që kanë një kontribut domethënës në jetën e partisë, që nga kryetari i partisë Fatos Nano dhe me radhë të tjerë për të cilët kemi respektin më të madh, por përsëri për arsyet e thëna publikisht e pamë të arsyeshme që dhe këtë drejtim ta përjashtojmë nga mundësia e përzgjedhjes sepse në këtë fazë PS ka barrën të jetë partia e të gjithëve. Dhe ata që nuk e votojnë Kështu rezonuam te grupi i tretë, ku grupi kishte vënë në funksion të këtij procesi 26 kandidatura me gra dhe burra të nderuar, me profile të ndryshme, që nga profilet e jetës publike e akademike deri te drejtimi që vinin nga anë të tjera politike. Pas diskutimit, u ruajt respekti për të gjithë personat që dhe pa dijeninë e tyre fare ishin përfshirë në atë diskutim. Në fund patëm 6 kandidatura që morën më shumë kohë për t’u shoshitur pastaj konsensualisht duke dëgjuar me vëmendje ato që u thanë , konsensualisht u arrit në konkluzionin që të vinim sot në grup  dhe të propozonim këtë kandidaturë”.

Sipas Ramës procesi i përzgjedhjes së kandidatit për president shmangu edhe zhurmnajën mediatike.

“Shmangu  atë që mund të ishte bolori nëse emrat do të kishin marrë rrugët dhe do kishin hyrë në dhëmbët e analistëve dhe opinionistëve që përgjithësisht janë në situatë delikate se nuk kanë shumë ushqim për të futur në sherr dynjanë në këtë fazë të jetës sonë politike”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani