Sali Berisha ka denoncuar sërish sistemin e Kadastrës në vend. Në një postim në Facebook Berisha shprehet se Kadastra është në kaos të plotë, ku po vazhdon vjedhja e qytetarëve dhe e të dhënave në këtë shërbim. Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se shkatërroi këtë shërbim që ishte model funksional, që në vitin 2013.
Ndërsa për drejtoreshën e Kadastrës Dallëndyshe Bici, Berisha thotë që meriton të dënohet me burg “për aktet e saj anti-ligjore të kryera me urdhër të Ramës, keqtrajton punonjësit pa mbështetje politike, ndërsa ata partiakë marrin rrogat pa dalë në punë”.
Postimi i Berishës
Kadastra në kaos të plotë.
Vazhdon vjedhja e qytetarëve, të dhënat e Kadastrës të hakeruara nga Muçot e Ramës. Pasiguri totale për titujt e pronësisë. Qindra dhe mijëra qytetarë paguajnë shumë shtrenjtë për marrjen e shërbimit me procedurë të shpejtuar, dhe nuk e marrin ndonjëherë as me procedurë të zgjatur, dhe lekët nuk iu kthehen.
Dora e zezë e Edi Ramës me Muçon e tij shkatërroi këtë shërbim që ishte model funksional, që në vitin 2013 i ndërtuar nga ekspertë shqiptarë dhe i certifikuar nga Banka Botërore, e cila kërkoi që të përdorej edhe nga vende të tjera. Por në atë kohë qeveria nuk paguante hakera, për të vjedhë të dhënat e agjencive shtetërore, siç bën Edi Rama sot.
Ndërkohë “Famoze” Bici, që për aktet e saj anti-ligjore të kryera me urdhër të Ramës meriton dekada burg, keqtrajton punonjësit pa mbështetje politike, ndërsa ata partiakë marrin rrogat pa dalë në punë.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe vjedhjen e qytetarëve nga Kadastra, keqtrajtimimin e punonjësve të ndershëm të këtij institucioni nga Bici i partisë, si dhe vjedhjen e të dhënave në sistemin e Kadastrës nga Muçot e Ramës. (A2 Televizion)