Kundër çmimeve të referencës, ndërtuesit: Apartamentet do të shtrenjtohen me 35%

Nga A2 CNN
12 Shtator 2023, 14:49 | Ekonomi
Kundër çmimeve të referencës, ndërtuesit:

Çmimet e reja të referencës në Tiranë do të shtrenjtojnë me deri në 35 për qind apartamentet në Tiranë. Është ky paralajmërimi i Shoqatës së Ndërtuesve që kërkon nga qeveria që të tërhiqet nga nisma.

 “Me një goditje, kjo VKM ka prekur tri taksa. Konkretisht, taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa 3% e strehimit social, si dhe 15% tatim fitimin të cilat llogariten automatikisht me çmimet e reja të referencës. Ne kërkojmë që kjo VKM të pezullohet dhe të mos zbatohet deri hyrjen e plotë në fuqi të ligjit për taksën e pasurisë”, tha Luigj Aleksi president i Shoqatës së Ndërtuesve.

Shoqata e Ndërtuesve propozon që hyrja në fuqi e vendimit me çmimet e rritura fiskale të jetë graduale ose aplikimi kundrejt zhvilluesve të lidhet vetëm me projekte që nisen dhe përfundojnë pas hyrjes në fuqi te vendimit.

 “Në informacionet tona, të gjithë ata ndërtues që kanë marrë leje ndërtimi kanë hequr dorë nga zbardhja e saj. Pasi rregullat e lojës kanë ndryshuar. Automatikisht çdo taksë, tashmë do të përllogaritet në bazë të çmimeve të reja të referencës dhe sipas  planit të bzinesit të hartuar me çmimet e vjetra, shprehet  Erjon Harizaj kryetar te shoqata e Ndërtuesve”, shtoi ai.

Referuar hartës së re të çmimeve referencë e cila hyri në fuqi më 28 korrik,  Unaza e Re është zona me rritjen më të madhe të çmimit të referencës me 76 për qind. Nga 65 mijë lekë për metër katror çmimi rritet në 114 mijë e 300 lekë. Alliasi, Medreseja dhe Komuna e Parisit janë zonat e tjera me normën më të lartë të shtrenjtimit me 54 deri në 57 për qind. Çmimet e referencës janë rritur në 113 mijë e 850 lekë në Don Bosko, 117 mijë e 800 lekë në Porcelan dhe 159 mijë e 100 lekë në Yzberisht.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi