I buzëqeshur dhe duke luajtur pingpong, del në dritë një video e papublikuar e Putinit

Nga A2 CNN
27 Shtator 2023, 09:29 | A2 CNN në Ukrainë
I buzëqeshur dhe duke luajtur pingpong, del në dritë një

Një video e presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë një vizite në Finlandë, në fillim të viteve ’90, është përhapur në rrjetet sociale.

Imazhet tregojnë një Putin shumë ndryshe nga ai që është sot, me flokë më të gjatë dhe një palë tuta. Ai shihet duke buzëqeshur dhe duke luajtur pingpong me kryetarin e atëhershëm të Shën Pjetërburgut. Rrjeti finlandez YLE e ka siguruar klipin nga një burim anonim. Videoja është filmuar gjatë festave të 1 Majit, pak pasi Putini u bë këshilltar i Anatoli Sobchak, kryebashkiaku i Shën Pjetërburgut.

Përveç pingpongut me truprojat e kryebashkiakut, janë publikuar edhe pamje të Putinit duke peshkuar, duke ngrënë apo duke luajtur me shigjeta.

“Gjëja më befasuese është se ai është duke buzëqeshur. Ai duket njeri, jo si përbindëshi që është bërë”, thotë Luke Harding, ekspert i Rusisë dhe korrespondent i Moskës për gazetën “The Guardian”.

Putini u kthye në Leningrad në vitin 1990, sot Shën Pjetërburg, pasi kaloi pesë vjet si oficer i KGB-së në qytetin gjermano-lindor të Dresdenit. Atje, ai u bashkua me ekipin e Sobchak dhe u bë Kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, duke qenë përgjegjës për marrëveshjet tregtare dhe investimet e huaja.

Rreth këtyre datave datojnë akuzat e para për korrupsion ndaj Putinit. Presidenti aktual rus pretendon se dha dorëheqjen nga KGB-ja në gusht 1991, në shenjë proteste ndaj grushtit të shtetit të tij të dështuar kundër Mikhail Gorbachev. Sipas një burimi anonim të YLE, Putin konfirmoi se ai ka punuar për agjencinë e spiunazhit gjatë vizitës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos