Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë – fshat në pjesën veriore të Kosovës.
Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se bashkë me disa persona – tash për tash të panjohur – kanë kryer vepra penale të bashkimit, me qëllim të kryerjes së veprave penale: “prodhim, mbajtje dhe trafikim i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.
Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.
Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.
E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzllës tha se “nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë informacion” për armët në këtë qytet.
Edhe ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, tha për REL-in se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës”, që lidhet me Radoiçiqin.
Çka parashikon ligji në Serbi?
Vepra penale e prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese dënohet me burgim deri në 12 vjet.
Për krimet e rënda kundër sigurisë së përgjithshme, dënimi maksimal është 12 vjet, ndërsa për komplot për kryerjen e veprave penale është pesë vjet./REL (A2 Televizion)