Konflikti Izrael-Hamas, SHBA afron luftanijet në Mesdheun Lindor

Nga A2 CNN
9 Tetor 2023, 11:27 | Bota
Konflikti Izrael-Hamas, SHBA afron luftanijet në Mesdheun Lindor

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se po zhvendosin aeroplanmbajtëse, anije dhe avionë lufte drejt Mesdheut Lindor, pranë Izraelit dhe se do të ndihmojnë shtetin aleat me pajisje dhe municione shtesë.

Një hap i tillë, i cilësuar si agresion nga Hamasi, vjen pasi grupi i militantëve islamikë ndërmori një sulm të koordinuar masiv ndaj Izraelit. Presidenti amerikan, Joe Biden, e cilësoi atë të paprecedentë dhe të tmerrshëm: “Në këtë moment tragjedie, dua t’u them atyre, botës dhe terroristëve se Shtetet e Bashkuara janë me Izraelin. Nuk do t’i braktisim kurrë”. 

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi se aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford, një luftanije dhe 4 shkatërrues raketash po i drejtoheshin rajonit dhe se së shpejti do të dërgoheshin edhe avionë lufte: “Përveç kësaj, gjatë ditëve në vazhdim qeveria amerikane do të ndihmojë forcat e mbrojtjes izraelite me pajisje dhe resurse shtesë, përfshirë municione”. 

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë në SHBA bëri të ditur se disa qytetarë amerikanë ishin mes viktimave në Izrael. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë, njoftoi se Uashingtoni po punonte për të siguruar që armiqtë e Izraelit të mos përpiqeshin të përfitonin nga situata.

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, ka shprehur mbështetjen për sulmin e Hamasit, duke thënë se Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për rreziqet në rajon. Hamasi ka bërë me dije se mbështetja e Iranit kishte ndihmuar në ndërmarrjen e sulmit, që përfshiu raketa, dronë dhe infiltrimin e qindra militantëve përtej fortesave izraelite rreth Gazës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se SHBA-ja nuk kishte parë prova të përfshirjes së drejtpërdrejtë të Iranit, por theksoi se Teherani e kishte ndihmuar prej vitesh grupin me bazë në Gazë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos