Katër fëmijë kanë humbur jetën teksa janë djegur nga zjarri që shpërtheu në katin e fundit të një blloku apartamentesh katërkatëshe në qytetin spanjoll të Vigos.
Reaguesit rajonalë të urgjencës konfirmuan, mëngjesin e sotëm, se të gjithë personat që kishin vdekur në tragjedi ishin të mitur, por nuk është qartësuar mosha e tyre.
Zjarri shpërtheu rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm në strukturën e banimit në lagjen e quajtur As Travesas, ku thuhet se strehoheshin pesë familje në secilin nga katër katet e saj.
Zjarri u vu shpejt nën kontroll dhe ekspertët e forenzikës së policisë rrethuan ndërtesën, por Kryebashkiaku i Vigos, Abel Caballero tha se 8 persona të tjerë mbetën të plagosur nga flakët dhe janë dërguar në spital.
Tragjedia në Vigo vjen pas zjarrit shkatërrues në një klub nate në Murcia më 1 tetor, që i mori jetën e 13 personave. (A2 Televizion)