“Nuk ka më thasë për të transportuar të vdekurit në Gaza”. Ky është lajmi më i fundit i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, i cili tregon edhe njëherë situatën e rëndë humanitare me të cilën po përballet enklava pas nisjes së kundërpërgjigjes së Izraelit.
“Prej 5 ditësh, Gaza është pa energji, pa ujë, pa shërbimet shëndetësore, teksa dhe ushqimet janë duke përfunduar”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e UNRWA.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se, deri në këto momente, 2750 persona kanë humbur jetën, teksa mbi 9700 të tjerë janë të plagosur.
Pak orë më herët, u përhap lajmi se një armëpushim është vendosur për largimin e qytetarëve të huaj dhe futjen e ndihmave nga pika kufitare e Rafahut, por një gjë e tillë u mohua nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Ndërkohë, Izraeli ka nisur evakuimin e qytetarëve të saj nga disa vendbanime pranë kufirit m Libanin, nga frika e një sulmi të Hezbollahut, pas raketave të fundit që janë lëshuar nga kjo anë e kufirit.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare bën me dije se rezervat me karburant në spitalet e Gazës janë duke përfunduar dhe është çështje orësh që ato të mbeten pa energji elektrike.
OCHA parashikon se ndërprerja e energjisë në spitale do të vendosë në rrezik jetën e mijëra personave të plagosur. (A2 Televizion)