Kualifikueset e Botërorit 2026, Messi i jep fitoren Argjentinës, bie Brazili

Nga A2 CNN
18 Tetor 2023, 11:38 | Futboll
Kualifikueset e Botërorit 2026, Messi i jep fitoren Argjentinës, bie

Argjentina vijon dominimin në Amerikën Jugore, në kualifikueset e Botërorit 2026, i cili do të jetë eventi i parë në histori me 48 skuadra. Albicelestët fituan 2-0 edhe përballë Perusë, të udhëhequr nga Lionel Messi.

I rikthyer në fushë si titullar, ylli i sulmit shënoi dy golat e triumfit, duke dhuruar spektakël të vërtetë.

Legjenda që është pranë fitimit të Topit të Artë të tetë, realizoi edhe golin e tretë, i cili iu anulua për pozicion jashtë loje, teksa asistoi në disa raste Julian Alvarez e Nico Gonzalez, që nuk konkretizuan.

Me këtë sukses, Argjentina ngjitet në kuotën e 12 pikëve të plota, e shkëputur me 5 pikë nga ndjekësit e Brazilit, Uruguait dhe Venezuelës.

“Seleçao” bëri një tjetër hap fals, pasi u mund me rezultatin 2-0 pikërisht nga Uruguai i Bielsës. Bëhej fjalë për një prej paraqitjeve me të dobëta në historinë e viteve të fundit, duke pësuar disfatën e parë pas 22 vjetëve përballë “të kaltërve”.

Darwin Núñez në fundin e pjesës së parë dhe rrjeta e Nico De la Cruz, 13 minuta përpara fundit të lojës, hodhën në tapet Brazilin. Sikur kjo të mos mjaftonte, “Seleçao” humbi edhe Neymar, që pësoi një lëndim të rëndë në gju dhe rrezikon sërish të mbetet jashtë fushave për një kohë të gjatë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi