52 grekë shpallen “non grata” pas “Bularatit”. Lleshaj: Mos e merrni urtësinë tonë për dobësi

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2018, 14:35 | Politikë

52 shtetas grekë janë shpallur “non grata” nga Shqipëria, pas manifestimit me tone ekstremiste nacionaliste në ceremoninë mortore të Kostandinos Kaçifës, të vrarë në përleshje të armatosur me oficerët e RENEA-s më 3 nëntor.

Njoftimin e ka bërë vetë zv.ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili e ka quajtur ngjarjen e një dite më parë si të papranueshme dhe një provokim vulgar dhe të rrezikshëm që iu bë shtetit shqiptar.

“Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”, tha Lleshi përmes një konference të jashtëzakonshme për mediat.

Personat e shpallur të padëshiruar akuzohen për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike.

Reagon Athina zyrtare: Duam shpjegime

Nuk ka vonuar shumë reagimi i Greqisë për këtë vendim. Edhe pse zv.ministri i Brendshëm renditi disa nga arsyet pse 52 shtetasit grekë ishin shpallur “non grata”, Ministria e Jashtme greke ka kërkuar shpjegime të tjera, duke mos kursyer as tonet kërcënuese.

“Në këtë moment delikat, presim prej Shqipërisë të largohet prej veprimeve që rëndojnë marrëdhëniet dypalëshe. Presim sqarime të bazuara për shpalljen masive të 52 grekëve “non grata” prej autoriteteve shqiptare. Mbetemi të vendosur në ndërtimin e marrëdhënieve të besimit, dhe të njëjtën gjë, presim edhe prej fqinjëve tanë”, thuhet në deklaratë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos